SHBA, largohet diplomatja indiane

09/01/2014 00:00

Dy zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë të ditur se Devyani Khobragade, zv/konsullja e përgjithshme e Indisë në Nju Jork, ende nuk është larguar nga Shtetet e Bashkuara, por duhet të largohet brenda ditës së sotme.

Asaj iu dha imunitet diplomatik, thanë zyrtarët në kushtet e anonimatit. Më herët, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm amerikan njoftoi se ajo ishte larguar nga vendi.

Në zënkën e fundit mbi arrestimin e diplomates së saj, India urdhëroi SHBA-të të mbyllnin “aktivitetet tregtare”, në ambientet argëtuese të Ambasadës amerikane në Nju Delhi.

Ambasada e SHBA-ve duhej të përgjysmonte aktivitetet në pronat e saj duke nisur nga 16 Janari, bëri të ditur një zyrtar indian i marrëdhënieve me Jashtë, ditën e enjte. Në pronën amerikane në kryeqytetin indian gjenden një klub bowling-u, një pishinë notimi dhe një palestër.

Klubi shumëfunksional në kompleksin e ambasadës përdorej nga njerëz jo diplomatë, thanë zyrtarët indianë, duke akuzuar SHBA-të se po shkelnin një ligj të Konventës së Vjenës.

Tensionet janë përshkallëzuar mes Nju Delhit dhe Uashingtonit mbi trajtimin e një diplomateje indiane të arrestuar në Nju Jork gjatë muajit të kaluar.

Zyrtarë të zbatimit të ligjit në SHBA kontrolloi dhe zhveshi Devyani Khobragade, zv/konsullen e përgjithshme të Indisë në Nju Jork, pas arrestimit të saj. Ajo përballet me akuzat e mashtrimit dhe bërjen e deklaratave të rreme mbi një kërkesë për vizë për ish-shërbyesen e saj shtëpiake.

India kishte shprehur irritimin në lidhje me arrestimin. Ajo kërkoi që Shtetet e Bashkuara të kërkonin falje dhe të tërhiqnin akuzat kundër Khobragade, avokati i së cilës thotë se ajo është e pafajshme dhe se ka të drejtën e shfrytëzimit të imunitetit diplomatik.

Edhe i ati i Khobragade doli në mbrojtje të saj. “Akuzat ndaj saj janë mizore dhe trajtimi i saj u bë në mënyrën më të përsosur çnjerëzore”, tha Uttam Khobragade gjatë së enjtes.

Ai doli gjithashtu në mbështetje të urdhrit të Indisë ndaj Ambasadës amerikane në Nju Delhi, për të mbyllur ato që ai i quajti si aktivitete tregtare në mjediset e misionit diplomatik. “Do të mbështes tërësisht, çdo gjë që do të bëjë qeveria indiane”, tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shprehu “keqardhjen” në lidhje me situatën e muajit të kaluar, por u ndal shumë pak, duke thënë se SHBA-të nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Për shkak të irritimit, autoritetet indiane hoqën barrikadat e betonit jashtë Ambasadës amerikane dhe kërkuan kartat e identitetit të diplomatëve amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA