
Situata në Siri bëhet akoma e më kaotike. Brigadat luftëtarësh opozitarë morën nën kontroll një spital që përdorej si seli qëndrore nga ana e ISIS, grup militant ekstremist i lidhur me Al Kaedan që lufton kundër Bashar al Assad dhe ngritjen e një shteti islamik.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njofton se nuk është e qartë se çfarë po ndodh në Aleppo, por ajo që dihet është se tashmë grupet opozitare janë përfshirë në një betejë më të përgjakshme me njëra-tjerën se sa me ushtrinë e Bashar al-Assad.
I njëjti burim thotë se brigada islamike të pavarura, sulmuan selinë qendrore të ISIS dhe liruan prej andej dhjetra luftëtarë të mbajtur peng. Të martën, një zëdhënës i ISIS, rrjetit ekstremist të lidhur me Al Kaedan me rritjen më të madhe të luftëtarëve në radhët e tij, tha se ‘do të shtypen të gjitha grupet rivale dhe ata që përçajnë luftën e shenjtë”.
Abu Mohammed al-Adnani tha se ISIS konsideron shënjestra legjitime si Aleancën Kombëtare siriane, ashtu edhe Këshillin Suprem Ushtarak, që të dyja organizma drejtues të opozitës së mbështetur nga perëndimi.
Të paktën 500 persona, dhjetra prej të cilëve civilë, mendohet se kanë gjetur vdekjen muajt e fundit në Siri vetëm nga përleshjet mes grupeve rebele rivale, ndërkohë që OKB ndali numërimin e viktimave të konfliktit që ka nisur që prej 2011 në 100 mijë, por shifra mendohet se është shumë më e lartë.
Top Channel