SHBA, “heronjtë” e 11 shtatorit nën akuzë

08/01/2014 00:00

Kanë marrë çeqe për invaliditet, për sëmundje apo dëme të pësuara gjatë operacioneve të shpëtimit të 11 shtatorit 2001, por pa të drejtë.

Të paktën 106 persona, mes të cilëve 80 ish-policë dhe zjarrfikës të Nju Jorkut, janë inkriminuar nga prokuroria e qytetit për mashtrim.

Ata ishin titullarë të një pensioni invaliditeti me pretendimin se kishin pësuar dëme fizike gjatë operacioneve në gërmadhat e Kullave Binjake, pas përplasjes së dy avionëve.

Por, sipas prokurorit të Manhatanit, Cyrus Vance, ata nuk kanë pasur të drejtë për këtë pension dhe kanë mashtruar shtetin.

Pas ndihmave të dhëna në ditët e vështira pas 11 shtatorit, shumë nga të pandehurit kishin deklaruar se nuk ishin më në gjendje të punonin, duke pretenduar për shqetësime mendore, të tipit depresion ose stres post-traumatik, për të siguruar dëmshpërblimin.

Por disa prej tyre kishin shkuar edhe më tej, duke thënë se nuk udhëtonin dot më dhe se nuk arrinin të kishin sërish një marrëdhënie sociale. Në të vërtetë, shumë prej tyre ishin në gjendje të vazhdonin një jetë normale.

Njëri nga ata është kapur në flagrancë duke udhëtuar në një helikopter, një tjetër teksa kalonte kohë në kazinotë e Las Vegasit, ndërsa një tjetër duke dhënë mësime artesh marciale.

Për të realizuar planin e mashtrimit, të pandehurit rezulton se kanë përfituar nga bashkëpunimi i këshilltarëve dhe mjekëve që i kanë trajtuar. Pensioni mesatar i invaliditetit në Shtetet e Bashkuara varion nga 30 mijë deri në 50 mijë dollarë në vit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta