Obama telefonon Merkel, e fton në SHBA

08/01/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka ftuar në Uashington në muajt e ardhshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se dy liderët kanë diskutuar për anxhendën e vitit 2014 dhe për incidentin me ski të Merkel.

Gjithësesi, telefonata e Obamës në adresë të kancelares shihet si një përpjekje e tij për të “shkrirë akujt”, pas zbulimit se agjencitë amerikane të sigurisë kishin përgjuar edhe celularin personal të zonjës Merkel.

Ngjarja ftohu marrëdhëniet mes Berlinit dhe Uashingtonit dhe u konsiderua nga qeveria gjermane si një veprim me të cilin administrata amerikane e kishte kaluar cakun.

Gjithësesi, brenda pak ditëve nga publikimi i skandalit, përmes dokumentave të ofruara nga ish-kontraktori i NSA-së Edward Snowden, Merkel deklaroi se do të ishte një gabim nëse Gjermania do të ndërpriste marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

SHBA, akuza ndaj Chris Christie
Guvernatori ka mbyllur dy korsi në urën “George Washington”

Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, që shihej si një yll në ngjitje për republikanët, po përballet me akuzat të ashpra, se zyra e tij urdhëroi më 9 Shtator mbylljen për disa ditë të dy korsive në urën “George Washington”, një nga më të mbipopulluarat në botë, për hakmarrje politike.

Kjo u bë për të ndëshkuar një bashkiak demokrat, që nuk mbështeti rizgjedhjen e guvernatorit. Chris Christie shtyu një takim mëngjesin e së mërkurës, pas publikimit të emaile-ve. Megjithëse nuk lexohet askund, se Christie ka urdhëruar mbylljen e korsive, pohimet e tij se “askush prej stafit të tij nuk u përfshi” rezultojnë jo të vërteta.

Skandali vjen ndërsa guvernatori i Nju Xhersit, që shihej edhe si një kandidat i mundshëm i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, po përgatitej të bënte një tur në të gjithë vendin, si kreu i Shoqatës së Guvernatorëve Republikanë.

Shtëpia e Bardhë mbështet NASA-n
Zgjat me 4 vjet jetën e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës

NASA ka marrë mbështetjen e Shtëpise së Bardhë për t’i zgjatur jetën Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) me katër vjet, deri në vitin 2024.

Ndërtimi i ISS-së nisi në vitin 1998 dhe është një sipërmarrje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kanadasë, Japonisë dhe shteteve pjesëmarrëse në Agjencinë Europiane të Hapësirës.

Angazhimet e tyre do të përfundonin në vitin 2020, por shumë inxhinierë besojnë se stacioni mund të punojë deri në vitin 2028.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta