Sondazhi, britanikët kundër emigrantëve

07/01/2014 00:00

Një sondazh i kryer së fundmi në Britaninë e Madhe tregon se shumica e vendasve janë kundër emigracionit nga vendet e Azisë, Afrikës dhe Evropës jug-lindore.

Më shumë se tre të katërtat e personave të intervistuar janë shprehur se dëshirojnë që emigracioni të ndërpritet, me 56 për qind të tyre që kanë kërkuar masa urgjente për frenimin e fenomenit.

Sondazhi i kryer nga British Social Attitudes Survey tregon gjithashtu se pothuajse gjysma e të intervistuarve, 47 për qind, vlerësojnë se emigracioni është një faktor negativ për ekonominë britanike.

Ndërsa mes 31 për qind që mendojnë se emigracioni është pozitiv për ekonominë, gjysma e tyre dëshiron gjithësesi që fenomeni të reduktohet.

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se dëshiron që diferenca mes numrit të personave që vijnë për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe atyre që emigrojnë të jetë më pak se 100 mijë njësi në vit.

Të dhënat e fundit tregojnë se deri në qershor 2013 kuota ka qenë 182 mijë njësi, një rritje krahasuar me 167 mijë të regjistruar në 12 muajt parardhës.

Sekretari i Ekonomisë, Vince Cable ka kritikuar objektivin e zotit Cameron për shkurtimin e kuotës vjetore të emigracionit nën 100 mijë njësi brenda zgjedhjeve të vitit 2015.

Cable vlerëson se plani nuk është aspak praktik dhe me shumë gjasa nuk do të aplikohet. Ai është shprehur se objektivi prej 100 mijë njësi është më tepër një politikë konservatore sesa koalicioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA