SHBA përshpejtojnë ndihmat për Irakun

07/01/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara deklarojnë se po përshpejtojnë furnizimin me pajisje ushtarake për Irakun, për të ndihmuar qeverinë e vendit që të luftojë grupet militante në provincën perëndimore të Anbarit.

Shtëpia e Bardhë deklaron se avionë të telekomanduar do të dërgohen brenda disa javëve për mbikëqyrje, ndërsa raketa të tipit “Hellfire” do të dërgohen brenda disa muajsh.

Luftimet në Anbar kanë shkaktuar disa nga përleshjet më të dhunshme, që nuk regjistroheshin prej vitesh në Irak. Forcat irakene po bëhen gati të sulmojnë qytetin e Falluxhës, që ka rënë në duart e militantëve.

Aktualisht raportohet se shumica e qytetit ndodhet nën kontrollin e Shtetit Islamik në Irak dhe kryeministri Nouri al Maliki u ka bërë thirrje banorëve që t’i përzënë. Edhe qyteti i Ramadit ka rënë gjithashtu në duart e tribuve sunite antiqeveritare.

Teksa dhuna rritet, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney deklaroi se Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë me Bagdadin për të hartuar një strategji për izolimin e grupeve të Al Kaedës. Ai tha se janë regjistruar disa suksese, por nënvizoi se situata mbetet e paqëndrueshme.

“Ne po përshpejtojmë shitjet e materialeve ushtarake, dërgimin e tyre dhe po mundohemi të sigurojmë një ngarkesë shtesë raketash “Hellfire”, sa më shpejt para pranverës”, tha Carney.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta