Rusi, masa ekstreme për Lojrat Dimërore

07/01/2014 00:00

Autoritetet në Rusi kanë ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në historinë e lojrave olimpike, një muaj para nisjes së Lojrave Dimërore në resortin e Socit.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se autoritetet po vendosin mbi 30 mijë policë dhe trupa të Ministrisë së Brendshme, si dhe po kufizojnë aksesin në zonë.

Shqetësimi kryesor vjen nga kërcënimet për sulme të militantëve islamikë nga rajoni i Kaukazit Verior. Personi më i kërkuar në Rusi, lideri i rebelëve çeçenë Doku Umarov, u ka bërë thirrje luftëtarëve të tij që të shënjestrojnë Lojrat Dimërore.

Korrespondenti i BBC në Moskë deklaron se atentatet e ndodhura në ditët e fundit në Volgograd kanë shtuar shqetësimet e administratës ruse.

“Duke filluar nga 7 janari, të gjitha divizionet përgjegjëse për sigurinë e pjesëmarrësve në eveniment do të jenë në gatishmëri për luftë”, ka deklaruar ministri i Emergjencave, Vladimir Puchkov.

Ai ka nënvizuar se çdo godinë do të merret në mbrojtje dhe do të aktivizohet një sistem monitorues nga hapësira. Autoritetet ruse po ngrenë dy zona sigurie për të mbrojtur lojrat.

Një “zonë e kontrolluar” pranë komplekseve olimpike do të kufizojë aksesin e personave të pajisur me biletë dhe do të verifikojë identitetet, ndërsa një tjetër “zonë e ndaluar” do të ngrihet në rrethinat e Socit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA