Nga Siria dalin armët e para kimike

07/01/2014 00:00

Ngarkesa e parë me armët kimike të Sirisë la portin e Latakias, në një anije daneze, e shoqëruar nga luftanije ruse dhe kineze.

Largimi prej vendit të përfshirë nga konflikti është hapi i parë, bazuar mbi marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e mbështetur nga OKB, për eliminimin e armëve kimike të Damaskut.

Kjo është përpjekja e dytë, pas të parës që dështoi, pasi zyrtarët sirianë nuk arritën të shpërndanin lëndët e helmëta kimike në pikën e grumbullimit, në portin e Latakias.

Ato do të dërgohen në Itali, nga ku më pas do të ngarkohen në një anije amerikane, e cila do të ndalojë në ujra ndërkombëtare. Shkatërrimi do të bëhet në një çisternë titaniumi, në bordin e saj.

Përmes një deklarate, të martën, Organizata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi se një numër i vogël konteinerësh u ngarkuan në anijen “Ark Futura”, e cila do të presë në ujra ndërkombëtare për ngarkesën tjetër, që do të niset nga Latakia.

BBC raporton se lëndët kimike erdhën nga dy zona të Sirisë, pa i specifikuar ato. Vonesat u shkaktuan nga luftimet e ashpra dhe prania e kryengritësve, përgjatë rrugës kryesore mes Damaskut dhe Latakias.

Sipas marrëveshjes, eliminimi i plotë i armëve kimike do të përmbushet në Qershor. Ky është një mision i përbashkët i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Pakti mes Moskës dhe Uashingtonit erdhi pasi u zbuluan raketa të mbushura me gaz sarin në Guta, pranë kryeqytetit sirian, më 21 Gusht. Qindra njerëz humbën jetën në këtë sulm. Fuqitë perëndimore thanë se qeveria siriane është autore e këtij sulmi, ndërsa presidenti Bashar al-Assad fajësoi kryengritësit.

Rusia garanton sigurinë në Latakia
SHBA bën transportin e armëve, Finlanda me ekipe të gatshme në rast aksidentesh

Si do të vazhdojë plani? Autoritetet siriane janë përgjegjëse për ambalazhimin dhe transportin e sigurt të armëve kimike, nga 12 zona në të gjithë vendin në portin e Latakias.

Rusia ka furnizuar me kamionë të blinduar, ndërsa Shtetet e Bashkuara me konteinerë dhe lokalizues GPS, apo sistemi satelitor i pozicionimit.

Rusia do të garantojë sigurinë për operacionet e ngarkimit në Latakia, ndërsa SHBA-të transportimin dhe disinfektimin e pajisjeve.

Kina ka dërguar 10 ambulanca dhe kamera vëzhgimi, ndërsa Finlanda një ekip të gatshëm në raste aksidentesh.

Danimarka dhe Norvegjia po garantojnë anije-kargo dhe eskorta ushtarake, për t’i çuar armët kimike në një port në Itali.

Rusia dhe Kina do të garantojnë eskortat detare. Në Itali, agjentët kimikë më kritikë do të ngarkohen në anijen “MV Cape Ray”, ku dhe do të shkatërrohen përmes hidrolizës në ujrat ndërkombëtare.

Lëndët më pak të helmëta do të ngarkohen në anije norvegjeze dhe daneze për t’u eliminuar në impiante tregtare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta