Përfitimet e padrejta me taksat

06/01/2014 00:00

Tregtarët e karburanteve dhe cigareve kanë shfrytëzuar rritjen e lajmëruar të taksave për të nxjerrë përfitime të padrejta në dëm të buxhetit dhe konsumatorëve.

Top Channel zbardh të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Doganave, që faktojnë se në fund të vitit të kaluar, importet e karburanteve dhe veçanërisht ato të cigareve janë rritur me ritme të jashtëzakonshme, larg trendit të tyre normal.

Sipas të dhënave, vetëm në muajin dhjetor u importuan rreth rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa i njëjti muaj i një viti më parë. Kjo sasi është zhdoganuar me taksat e vjetra për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmimet e rritura, nën pretekstin e taksave të reja.

Por karburantet nuk janë rasti i vetëm. Tek cigaret abuzimi ka qenë edhe më i fortë. Të dhënat tregojnë se vetëm në muajin dhjetor grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75 për qind.

Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekë, por që në treg po iu shiten qytetarëve me çmimet e rritura nën argumentin e taksës së re.

Vetëm për këtë muaj, shmangia e taksave përmes kësaj forme shkon në mbi 2.4 milionë dollarë dhe disa herë më shumë nëse llogaritet për tre muajt e fundit së bashku.

Por ky nuk është abuzimi i vetëm. Tregtarët i kanë rritur çmimet e cigareve në treg deri në dy herë më shumë se shtesa e taksave dhe madje kjo rritje ka filluar disa muaj përpara se taksat e reja të hynin në fuqi.

Kjo e çon abuzimin në miliona dollarë, të cilat duhet të përfundonin në buxhetin e shtetit për t’i lejuar qeverisë të shpenzonte më shumë për spitalet apo mjedisin, por që në të vërtetë kanë shkuar si përfitime abuzive tek grosistët që kontrollojnë tregjet.

Top Channel