Dogana, rezultat historik

06/01/2014 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi se ka arritur në dhjetor rezultatin më të mirë historik në mbledhjen e të ardhurave, duke realizuar planin me 129 për qind.

“Në dhjetor 2013 administrata doganore ka mbledhur 4.2 miliardë lekë, ose rreth 40 milionë dollarë më shumë se vjet. Si tremujor ne kemi mbledhur rreth 60 milionë dollarë më shumë se viti i kaluar në buxhetin e shtetit, që do të thotë më shumë para”, deklaroi Spiropali.

Spiropali tha gjithashtu se, ecuria pozitive e të ardhurave nën administrimin e ri të doganave nuk është e rastësishme, por lidhet me luftën ndaj evazionit dhe shkëputjes së lidhjeve korruptive.

Sipas saj, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka evidentuar shkelje të kodit doganor apo ligjeve të akcizës me penalitete deri në 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë.

“Për të gjitha shkeljet e evidentuara dhe të raportuara nxisim prokurorinë të veprojë dhe mbetemi shpresëplotë që ky institucion do të kryejë deri në fund detyrën që i ngarkon ligji, për të dhënë shembullin e ndëshkimit dhe për të shmangur në të ardhmen abuzime nga individë apo grupe me pushtet që dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit”, tha Spiropali.

Top Channel