Rrëzohen amendamentet e PD

28/12/2013 00:00

Maxhoranca rrëzoi në Parlament propozimin e Partisë Demokratike për të
mos rritur taksat mbi biznesin e madh. Amendamenti u propozua nga
ish-ministri i Financave Ridvan Bode, i cili tha se ai i referohet
programit elektoral të Partisë Socialiste.

“Ky propozim bazohet, së pari në bindjen tonë të thellë që taksat e ulëta janë instrumenti i nxitjes dhe i zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe po ashtu vjen në përputhje edhe me angazhimet elektorale dhe programin elektoral të maxhorancës së sotme të Partisë Socialiste, e cila u ka deklaruar publikisht se në vitin e parë të qeverisjes nuk do të ketë rritje të taksës mbi biznesin”, tha Bode.

“Janë 720 milionë dollarë borxhe që i janë lënë në kurriz të biznesit. Në përllogaritjet tona, duke i ngarkuar duke ia ngarkuar të gjitha këto shumës totale të fitimit nga sipërmarrja, praktikisht tatim fitimi në katër vitet e fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike ka qenë 125 për qind. Pra, praktikisht 15 përqindëshi është ulje, megjithëse statistikisht mund të rezultojë ashtu siç ju thoni”, tha Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

“Rritja me 70 miliardë lekë për vitin 2014 do të thotë 70 milionë dollarë. Do të thotë pakësim të mundësive për të punësuar rreth 15 mijë të rinj në tregun e punës. Rritja me 50 për qind e kësaj takse do të rrisë nivelin e papunësisë dhe kërcënon një sërë sektorësh dhe industrish të ekonomisë shqiptare”, tha Bode.

“Janë 166 mijë të vetëpunësuar, të cilët mbështesin gati 500 mijë shqiptarë. Ne e kemi hequr taksën e biznesit të vogël dhe kemi ulur tatim fitimin e thjeshtësuar, kështu që paketa jonë e mbështet biznesin. Këtu u përmend një shifër prej 70 milionë dollarësh. Vetëm në vitin 2014 Qeveria do t’i kthejë mbrapsht sipërmarrjes 350 milionë dollarë”, tha Ahmetaj.

Në paketën me 39 amendamente të opozitës, i dyti më i rëndësishëm ishte ai i propozuar nga ish-kryeministri Berisha, për të anuluar rritjen me 10 leke të taksës mbi qarkullimin. 

“Taksa e qarkullimit është taksa e gijotinës, që ju vini mbi ekonominë shqiptare e shtytjes së saj me shpejtësi drejt recesionit. Vërtetë ju mund inkasoni 80 milionë dollarë, por ju garantoj se ju rrënoni së paku 800 milionë dollarë dhe në vitet në vazhdim edhe miliarda. Ku jeni o kumarxhinj, pse mbroni kumaret tuaja, pse nuk e rrisni atë çmim, pse nuk preknsi cmimin e mëkatit dhe prekni naftën?” tha Berisha.

“E para karburanti po kthehet në çmime relativisht të pranueshme me rajonin. Eshtë një masë e nevojshme për të ulur edhe qarkullimin rrugor. Ajo naftë që hidhej në treg dhe që shkatërronte mjetet shqiptare nuk do të jetë më. Në terma afatgjerë publiku fiton dhe nuk do të ketë asnjë ndikim direkt thjesht rritja e pak lekëve karburant, duke e shtrirë atë me gjithë përfitimet e tjera indirekte, sepse njeriu me vizion, shikon edhe përfitimet e gjera”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Paketa e re fiskale, rrit me rreth 20 miliardë lekë barrën fiskale për qytetarët dhe biznesin. Qeveria thotë se përmes saj ajo bën një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksave, por opozita e ka kundërshtuar duke e quajtur si paketa që do zhysë ekonominë në recesion.

Rama për borxhin dhe legalizimet

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama fajësoi opozitën për gjendjen e borxhit publik dhe e akuzoi atë për keqqeverisje në 8 vite, duke abuzuar me legalizimet dhe me fondet për të pastrehët.

“Është e dhimbshme të shohësh sot Shqipërinë që të mos ketë alternativë një opozitë. Paraqitja juaj e zellshme e programit tonë ka një problem. Ju flisni sikur ne jemi në fund të mandatit dhe sikur ju 100 ditë më parë nuk ishit në pushtet, por për 8 vjet në opozitë. Ju flisni sikur borxhi nuk është i juaji. Ne nuk po rrisim borxhin, thjesht po legalizojmë atë borxh të marrë prej jush. Ne nuk do t’ua ngarkojmë bizneseve barrën e përballimit të një krize që e keni krijuar ju me politikat tuaja dhe ndërtimin e politikave të taksimit me frymëmarrje të shkurtër.  Ju në 8 vjet bëtë një katrahurë të madhe”, tha Rama.   

Top Channel