Importi i mallrave dhe produkteve u ul me 5 për qind për 11 mujorin duke
konfirmuar rënien e konsumit të brendshëm. Të dhënat zyrtare nga
Instituti i Statistikave tregojnë se deri në fund të nëntorit, Shqipëria
importoi rreth 457.3 miliardë lekë të mira materiale ose rreth 24
miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas INSTAT, rënien më të fortë e ka grupi minerale lëndë djegëse dhe energji elektrike, importi i të cilave ra me afër 19 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Por ka dhe një zë tjetër ku importet kanë rënë me ritme të forta, që është ai i makinerive dhe pajisjeve, të përdorura nga biznesi për investime të reja në ekonomi.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar, ndërmarrjet shqiptare blenë 8 miliardë lekë më pak makineri dhe pajisje nga jashtë.

Rënia është rreth 8 për qind dhe konfirmon ndrydhjen e mëtejshëme të investimeve private, një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Të dhënat tregojnë se ky është viti i dytë me radhë kur ekonomia përballet me rënien e importeve të mallrave kapitalë. Sipas INSTAT edhe në 2012-ën, importi i tyre u tkurr me 7 miliardë lekë në terma vjetorë. Dhe në të dy këto vit, rritja e prodhimit kombëtar ka qënë më e ulëta e dy dekadave të fundit, veç krizës së vitit 1997.
 

Top Channel