Shoqatat e biznesit kanë shprehur rezerva ndaj qeverisë për miratimin e shpejtë të paketës së re fiskale, pa i lënë kohë sipërmarrjes për konsultim.
Të thirrur në Komisionin e Ekonomisë ata kanë propozuar një sërë masash për të zbutur efektet negative të ndryshimeve të befta.
“Për të adresuar problemet në lidhje me hyrjen shumë të shpejtë në fuqi, vecanërisht të ndryshimit që ka të bëjë me rritjen e shkallës tatimore të tatim-fitimit dhe fakti që viti 2014 do të jetë një vit i vështirë kërkojmë që paketa fiskale të parashikojë shkallë tatimore më të ulët, psh sa i përket vlerës prej 15 përqind, ndoshta mund të ishte edhe 12 përqind dhe kjo ndoshta ka nevojë për diskutim, për tatim-fitimin nëse diskutohet që të jetë gati në janar 2014”, tha Arsen Kurti, zv.President i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Një tjetër propozim i biznesit ishte dhe ai për zbutjen e progresivitetit të tatimit mbi të ardhurat personale , për të mos cënuar konsumin.
“Kërkojmë që të parashikohet një fashë e re të ardhurash në një shkallë tatimore të ndryshme nga ajo maksimale. Psh për kategoritë nga 130 mijë deri në 300 mijë mund të jetë një masë, ndoshta 17 përqind. Ky është sugjerimi i bërë nga Dhoma. Theksojmë nevojën për të mos ulur fuqinë konsumatore”, deklaroi zoti Kurti.
Ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës propozon rishikimin e ligjit për taksat kombëtare, që rrit taksën mbi naftën me 10 lekë për litër.
“Nuk mund të lëvizi nafta apo benzina me 100 lekë dhe ne të heshtim duke mos reaguar. Duhet të shikohet një mënyrë progresive e kësaj lëvizjeje në mënyrë që efekti dhe destinancioni i kësaj takse të ketë vlerësimin e duhur dhe të marrë edhe vlerësimin e grupeve të interesit”, tha kreu i kësaj dhome, Nikolin Jaka.
Deputetët e maxhorancës deklaruan se hartimi i shpejtë i paketës fiskale, nuk është faji i tyre, por lidhet me ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tyre kjo praktikë nuk do të përsëritet më vitet ardhshme, ndërkohë që kanë lënë të hapur mundësinë për të negociuar me biznesin për ndryshimin e disa taksave apo procedurave të paraqitura në paketë.
Top Channel