Krishtlindje me fëmijët e ngujuar

23/12/2013 00:00

Dhjetra familje, qindra fëmijë rrinë mes katër mureve 24 orë në 24, të burgosur nga fenomeni i gjakmarrjes.  Emisioni “Shqip” i kësaj jave u zhvendos në një shtëpi në fshatin Bardhaj të Shkodrës, pikërisht në një familje të prekur nga ky fenomen.

Në panelin e zhvendosur të emisionit, me gazetaren Rudina Xhunga ishte prezantuesja e Top Channel, Arbana Osmani, njëkohësisht autore e librit “Receta për njerëzit që duam”, të ardhurat në shitja e të cilit vetë prezantuesja i ka dhuruar për bamirësi pikërisht për familjet e ngujuara.

E ftuar ishte edhe mësuesja e rrethit të Shkodrës, Liljana Luani e cila rrëfeu shkurtimisht historinë e ngujimit të familjes, që kërkoi të mos i bëhej publik emri. “Kjo familje ka vite që është prekur nga fenomeni i gjakmarrjes. Imagjinoni vajza e kësaj familjeje është sot 20 vjec dhe ka që kur ishte 5 muajshe që është e ngujuar”, thotë Liljana.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë, Shaban Neçi tha: “Është një fenomen që ndodh dhe për ca kohë do të ndodhë. Policia sot ka detyrë kryesore sigurimin e jetës dhe pasurisë së personave. Sot duhet të drejtohemi ndaj këtij fenomeni. Kemi arritur të nxjerrim disa të dhëna, që në fakt nuk janë alarmante, janë përmirësuar thonë të tjerët, por mua më duken alarmante. 208 familje në gjithë Qarkun e Shkodrës janë në hasmëri, 59 prej tyre janë të ngujuara. Problem më i madh është mungesa  e arsimimit për fëmijët. Përvec kësaj, kemi edhe dy studentë që kanë ndërprerë studimet e tyre. Është një problem i madh. Ne nëpërmjet strukturave tona kemi diskutuar dhe po mundohemi që të paktën këtë nismë t’i sajojmë dhe respektojmë qoftë edhe me një kartolinë.  Vrasja mbetet vrasje dhe për këtë do të dënohen të gjithë, s’ka më gjakmarrje apo hakmarrje”, tha ai.

Por Arbana Osmani ngriti shqetësimin e nënës së familjes. “Një nga shqetësimet e nënës tha se këtu nuk është e sigurtë dhe tani që do të marrin vesh që unë kam disa të mira materiale është që tani jam akoma më e pasigurtë”.

Kreu i policisë garantoi se policia do të jetë gjithnjë e më shumë prezente në zona të tilla, sidomos në periudha të tilla festive ku kthehen nga emigrimi qindra vetë dhe ku risqet për krime rriten.

Ndërkohë, aktorja Sindi Laçej foli për eksperiencën e saj në rolin në filmin “Falja e gjakut” ku luan rolin e një vajze të ngujuar. “Pranova rolin nga dëshira e madhe që kisha që të transmetoja se si jetonin ato vajza të reja që më besuan mua të fshehtat e tyre. Ishte një rol me përgjegjësi të lartë për të mos i zhgënjyer ato vajza përpara një audience shumë të madhe”, tha ajo.

Pjesës së dytë të “Shqip” iu bashkua botuesja Arlinda Dudaj e cila iu bashkua nismës në ndihmë të familjeve të ngujuara duke dërguar libra për fëmijë, bashkë me librin e Arbana Osmanit. “Mendova lodra dhe gjëra të tjera, por më pas nuk dija a u kishte sjellë njeri libra këtyre fëmijëve, sepse në fakt këta kanë shumë nevojë për të”, tha zonja Dudaj.

Prezantuesja e Top Channel, Arbana Osmani tha se synimi i bërjes të gjithckaje publike ishte ndërgjegjësimi i njerëzve për këtë fenomen, për këtë pjesë të shoqërisë që ka nevojë për gjithcka dhe ku gjithkush ftohet të japë kontributin e tij modest.

Pjesën e tretë panelit të improvizuar të “Shqip” iu bashkua edhe korespondenti i Top Channel në Shkodër, Ardi Hoti.

Në nisje të fjalës së tij ai tha se gjatë punës së tij përballet me problematikën e gjërë dhe komplekse të gjakmarrjes. “Por ajo që dua të them unë është që gjakmarrja është shumë e ndërlikuar, është më e ndërlikuar nga sa prezantohet në media. Ne kemi raste kur personi është dënuar me burg të përjetshëm dhe jashtë atij i vriten të afërmit, kemi raste kur gjykata ka dhënë dënime qesharake dhe personi ka dalë nga burg dhe është vrarë. Kemi situata kur familjet pajtohen, kemi situata kur edhe pse janë vrarë një me një, familjet vazhdojnë të hakmerren. Ndaj mendoj që është shumë më e ndërlikuar dhe akoma më e frikshme mendoj, është situata e moderuar e gjakmarrjes që po ndodh tani, e cila sic thotë një studiues i sjelljeve kriminale, “krimi po vepron me heshtje”, edhe gjakmarrja tani po vepron me heshtje. Tani familja kur i vritet personi, familja e autorit dërgon të moshuarit tek shtëpia e viktimës për t’u marrë vesh. Ata u thonë që mos u ngujo, e di ti se cfarë duhet të bësh. Për ne në daç dil, në daç mos dil. Ky mesazh është shumë i rëndë, është një kodim që përcillet që: ne do të vrasim”, thotë gazetari i TCH.

Më tej ai sqaron se e gjithë kjo fjali, edhe pse është kërcënuese, por në momentin kur vjen policia në familjen e ngujuar ata u thonë që nuk i ka ngujuar njeri, por prap kanë frikë të dalin.

“Pasoja e gjithë kësaj është se strukturat shtetërore dalin jashtë loje. Pra jemi në një rreth vicioz, që flitet për takime prokurorie dhe gjykatat e të tjera me radhë. Unë dhashë një shembull shumë të thjeshtë për të treguar se strukturat shtetërore dalin jashtë loje dhe është e mira që këtu të luajë një rol më të fortë pajtimi dhe duhet duke patur parasysh edhe mentalitetin të jetë një ekip me figura me emër sepse kështu vlerësohet nga familjet. Nëse tek familjet e ngujuara japim arsim, tek familja që ka për të marrë gjakun duhet të japim kulturë, nëse këtu japim siguri, tek ato familje duhet të japim vlerësim dhe respekt sepse ato familje kërkojnë respekt dhe vlerësim”, tha Ardi Hoti.

Gazetarja Rudina Xhunga u ndal tek thelbi dhe i emisionit të sotëm, ai i përcimit të mesazhit për ndërgjegjësimin, pa bërë fajtor askënd, por vetëm fenomenin që ngujon dhjetra familje e qindra fëmijë.

Si njohës më i mirë i fenomenit, Ardi Hoti tha se rol të madh luan edhe shoqëria. “Pjesa më e madhe e personave që sot duan të marrin gjak, pjesa më e madhe e tyre e kanë për të rikuperuar nderin dhe për të cuar autoritetin dhe respektin në vend përballë perceptimit të shoqërisë, se sa për cështje të atij të vrarit. Jemi shoqëri e dhunshme”, tha ai.

“Nëse nuk ka një nismë mbarëkombëtare që ky problem të zgjidhet që në themel, që në rrënjë, kjo fatkeqësisht cdo ditë e më tepër po merr përmasa të frikshme dhe kjo është bërë një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë”, thotë mësuese Liljana.

“Të jenë të gjithë të lirë. Të jenë të gjitha familjet që janë në gjak të lira!”, kjo ishte dëshira për Krishtlindje e njërit prej vogëlushëve të ngujuar për shkak të fenomenit. 

“Kërkoj nga të gjithë, ju lutem nga zemra që të falet gjaku gjithë familjeve që janë në gjak. T’i lënë të gjithë të lirë dhe të fillojnë një jetë të re si gjithë të tjerët”, ishte dëshira e Marselës, gjithashtu e ngujuar.  

*NË NDIHMË TË FAMILJEVE TË NGUJUARA MUND TË NDIHMONI NË NUMRIN E LLOGARISË PRANË UNION BANK, 112100438020115-TOP CHANNEL SH.A – NDIHMË PËR FAMILJET E NGUJUARA IBAN AL63214112090112100438020115

Top Channel