Ndryshon sërish buxheti 2013

21/12/2013 00:00

Qeveria ka miratuar një Akt Normativ, që ndryshon për të dytën herë në
më pak se dy muaj buxhetin e shtetit për vitin 2013, por këtë herë në
rritje.

Top Channel ka mësuar se Akti rishpërndan 4.9 miliardë lekë të ardhura, nga të cilat 4 miliardë vijnë nga tejkalimi i planit në tatime dhe dogana për periudhën tetor-dhjetor, ndërsa pjesa tjetër prej janë kursim nga interesat e borxhit. Por si do të përdoren këto fonde?

Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se 1.9 miliard lekë do të shkojnë për të mbuluar pagesën e dhjetorit për personat me aftësi të kufizuara. Këta të fundit, kanë qenë shtresa më e goditur nga kaosi buxhetor i rotacionit politik duke u lënë për disa muaj pa marrë pagesat e tyre, burimin e vetëm të mbijetesës. Çështja u shndërrua edhe në politike, ku demokratët në opozitë dhe Qeveria e re e socialistëve akuzonin njëra-tjetrën mbi përgjegjësinë.

Ministria e Çështjeve Sociale thotë se Qeveria e mëparshme e ka harxhuar të gjithe fondin gjatë fushatës zgjedhore, por demokratët pretendojnë se kur ikën nga Qeveria kanë lënë rreth 40 milionë dollarë në buxhet për ndihmën ekonomike. Por vec 1.9 miliardë lekëve të destinuara për këtë shtresa, Akti Normativ rishpërndan edhe 3 miliardë lekë të tjera ose rreth 30 milionë dollarë. Ato shkojnë për investimet në infrastrukturë, kryesisht për të paguar rrugët e ndërtuara gjatë këtij vit. Dy muaj më parë, Qeveria korrigjoi me ulje të fortë, përkatësisht 38.7 miliardë lekë, planin e të ardhurave të parashikuar në buxhetin e  hartuar në fillim të vitit nga Qeveria e mëparshme.

Top Channel