Rama sqaron paketën fiskale

20/12/2013 00:00

Në vijim të turit të tij për shpjegimin e paketës fiskale dhe buxhetit
2014, Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrat Arben Ahmetaj dhe
Lefter Koka, është takuar me qytetarët e Tiranës.

Rama tha se zhurma përpiqet të përçojë opozita tek njerëzit, si një frikë nga një apokalips, është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar sa më shumë pamjen e publikut mbi një sërë ndryshimesh rrënjësore, në qasjen e Qeverisë ndaj ekonomisë.

Shefi i Qeverisë në këtë takim dha shpjegime të detajuara duke kundërshtuar pretendimet e një dite më parë të opozitës, që lidheshin me çmimin e naftës.

“Eshtë tërësisht e pavërtetë që rritja prej 10 lekësh, që ne i bëjmë taksës së qarkullimit do të sjellë rritje të cmimeve të ushqimeve e do të sjellë rritje të përgjithshme. Për 10 lekë që shtohen, jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpëdrejt mbi cmimet, por përkundrazi, shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në vendin tonë. E kemi thënë edhe më parë, ne jemi duke shkuar drejt shërbimit shëndetësor falas”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj sigurojë qytetarët se nuk do të ketë rritje të çmimit të bukës.

“Kostoja e rritjes së naftës me 10 lekë nuk shkon fare të qytetari i zakonshëm. Dhe në fakt qëllimi që është vënë kjo lloj takse është që të mos shkojë tek qytetari i zakonshëm. Marrim çmimin e bukës, nuk rritet asnjë lek. Përkundrazi çmimi i saj do të bjerë për shkak të uljes së taksës së biznesit të vogël. Frika që tenton të mbjellë Sali Berisha është thjesht një frikë nga suksesi dhe nga mbajtja e premtimeve, asnjë gjë tjetër”, tha Ahmetaj.

Sipas ministrit të Mjedisit, Lefter Koka mjedisi ynë është shumë i ndotur. ‘Në Evropë, -tha ai, ne nuk hyjmë dot më këto standarde. Ndaj kërkohet që ndotësit më kryesorë dhe të taksohen’.

“Taksa e karbonit është një ndër taksat që duhet vendosur. Nëse çmimi do të rritet 100 lekë/litër, në periudhën e kaluar kishte mbi 20 % ujë brenda makina. Tani si kilometra do të bëhen edhe më shumë. E keqja nuk vjen nga shtesa, por vjen nga cilësia e naftës”, tha Koka.
  
Në përfundim të këtij bashkëbisedimi Kryeministri Rama e quajti qeverisjen si administrim e një shtëpie, e cila është lënë prej Sali Berishës e zhytur në borxhe. ‘Nuk mund të rëndojmë familjen tone, tha Rama, duke i futur duart nëpër xhepa, duke thënë: nxirrni të gjithë lekët, ju që jeni të papunë, nxirrni të gjithë lekët, ju që jeni me një rrogë që të paguajmë ne direkt borxhet që na i lanë trashëgim ata që herën e parë e dogjën shtëpinë me piramidat’.

Top Channel