Buxheti, s’ka vepra të reja

20/12/2013 00:00

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto deklaroi se Qeveria nuk do të
fillojë asnjë projekt të ri publik vitin e ardhshëm, por do i
përqendrojë të gjitha burimet financiare të buxhetit në mbylljen e
veprave ekzistuese.

“Mund të kërkoni për vepra të reja, këtë vit nuk ka vepra të reja, por ka mbylljen e atyre ekzistuese. Veprat e reja do të nisin nga viti i ardhshëm. Një arritje e madhe e këtij buxheti është planifikimi për të eliminuar peshën e jashtëzakonshme që kanë patur kompanitë, si rezultat i mospagesave dhe nga buxheti total i 16 miliardëve, që na rezulton për këto kompani, kemi planifikuar rreth 12 miliardë që të paguhen vetëm gjatë këtij viti”, tha Haxhinasto.

Zoti Haxhinasto ishte në Kuvend bashkë me tre ministra të tjerë, që drejtojnë sektorët më prioritarë të ekonomisë për të paraqitur buxhetet respektive.

“Në total kemi të bëjmë me një buxhet të rritur, në mënyrë domethënëse prej 735 milionë lekë në raport me buxhetin e vitit 2013. Pjesa më e madhe e kësaj rritje buxhetore shkon direkt si mbështetje për fermerin në trajtën e pagesave direkte”, tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“I gjithë zëri si funksion i Ministrisë së Arsimit do të shkojë në 11 për qind të buxhetit dhe në 3.5 për të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka është një tentativë, një hap përpara drejt asaj që është synimi i qeverisjes për të shpenzuar për arsimin 5 për qind”, tha zëvendësministri i Arsimit, Arbën Mazniku.

Por opozita preferoi ta fokusonte debatin tek shpenzimet e Qeverisë në tërësi. Ridvan Bode tha se buxheti rrit borxhin dhe nuk stimulon ekonominë.

“Ky buxhet, më i madhi historik, nuk ka fare rritje pagash. Për herë të parë pas një periudhe 10-vjeçare, investimet publike zbresin në nivelin e 5 për qind të PPB. Pra gjithë ky buxhet kaq i madh nuk u përdorka as për të rritur kërkesën konsumatore për paga dhe pensione dhe nuk u përdorka as për investime. Atëherë për çfarë përdoret? Vetëm për funksionimin e Qeverisë”, tha deputeti demokrat Ridvan Bode.

“Ne kemi një program tonin, siç e kishin ata një program. Ne kemi në prioritetet tona zhvillimin e infrastrukturës dhe të bujqësisë, të arsimit dhe shëndetësisë, rivendosjen e rendit publik dhe do t’i orientojmë fondet sipas prioriteteve të programit të Qeverisë”, tha deputeti socialist Anastas Angjeli.

Shpenzimet totale të buxhetit për vitin 2014 arrijnë në 455 miliardë lekë, ose 12 për qind më shumë se këtë vit. Por 35 miliardë lekë nga këto fonde destinohen për shlyerjen e borxheve të prapambetura.  
 

Top Channel