Cani: Do të rriten të ardhurat

19/12/2013 00:00

Ministri i Financave deklaroi në Kuvend se buxheti i shtetit për vitin e
ardhshëm do të shënojë rritjen më të madhe të të ardhurave në historinë
e financave të shtetit.

“Ne nga përmirësimi administrativ shohim rritje të të ardhurave në këtë paketë, prej 40 miliardë lekësh, aq sa është mesatarja e rritjes të të ardhurave nga tatimet dhe dogana në 10 vitet e fundit”, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani.

“Niveli i administratimit, i uljes së evazionit është zero. Kemi një rritje taksash, e cila është 1.2 për qind e GDP-së dhe nëse e shton këtë në vitin 2012 shkon 26. 3 per qind. Programohet 26.1. Kemi rritje në përmirësimin e administrimit, apo kemi një vijim të humbjeve në administrim”, tha deputeti demokrat Ridvan Bode.

Vitin e ardhshëm të ardhurat rriten me 40 miliardë lekë, aq sa pritet të jetë dhe rritja e prodhimit kombëtar në vlerë.

“Çfarë do të realizohet në një vit në ekonominë shqiptare mendohet të futen në buxhetit të shtetit. Investime nuk ka sepse biznesit nuk i mbetet asgjë, kursime nuk ka sepse qytetarëve nuk i mbetet asgjë për të kursyer”, tha Bode.

“Kur thoni që këtë vit e gjithë rritja ekonomike po shkon në buxhet dhe s’ndahet gjëkundi, kujtoni edhe vitin 2013, 2012. Ku ka vajtur rritja e konomike? Ka vajtur e gjitha në buxhet, zoti Bode”, tha Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

“Viti 2014 do të jetë fillimi i rrokullisjes së shpejtë, sepse këtu në këtë buxhet Qeveria nuk reflekton asnjë model zhvillimi”, tha Bode.

“Pa merak. Atë që bëmë në vitin 98′ e më pas, me financat dhe ekonominë shqiptare, zoti Bode, kot parashikoni ditë të këqija. Ditë të mira vijnë dhe është e sigurt kjo”, tha ministri Cani.

Nga shtesa 40 miliardë lekë në të ardhurat, mbi 18 miliardë vijnë nga rritja e taksave mbi qytetarët dhe bizneset e mëdha.

Top Channel