Firmosja e marrëveshjes TAP

18/12/2013 00:00

Pas nënshkrimit të memorandumit në kryeqytetin azer Baku, mes vëndeve ku
kalon gazsjellësi TAP, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij
përshëndetëse e vuri theksin në rëndësinë që merr ky investim për të
gjithë rajonin.

“Qeveria shqiptare do të verë në shërbim të gjitha burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale, kuadrin ligjor e institucional, që është nën një proces të udhëhequr nga Ministri i Energjisë, për të garantuar suksesin e projektit TAP në të gjitha aspektet e tij, në lidhje me Shqipërinë dhe vendet e Evropës Juglindore. TAP mund të jetë – dhe ne jemi të angazhuar ta kthejmë atë, me ndihmën tuaj Azerbajxhanit – një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore.Shqipëria duhet të kapë këtë moment dhe duhet të shndërrohet në një promotor për gazifikimin e shumë vendeve në rajon, të cilat nuk kanë ende një treg të tillë dhe infrastrukturën e nevojshme për atë”, tha Rama.
 
Ministri Damian Gjiknuri i pranishëm në këtë nënshkrim në Baku thotë se ky projekt në vitet në vijim do të kontribuojë me 1 miliardë dollarë vetëm në pjesën shqiptare, pjesën e projektit që mbulon Shqipërinë.

“Qindra milionë dollarë do të përfitohen nga firmat lokale shqiptare dhe do të ketë një punësim prej disa mijëra shqiptarësh, të cilët do të marrin pjesë direkt, me kontributin e tyre, në këtë projekt. Do të thotë që është një nga kontribuesit kryesorë të GDP-së në vitet në vijim dhe prandaj është një ngjarje shumë e mirë për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera ku kalon ky gazsjellës”, tha Gjiknuri.
 
Ndërsa Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme e shikon projektin TAP në këndvështrimin gjeostrategjik të Shqipërisë.

“Ky lloj projekti dhe këto zhvillime forcojnë pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë, si një vend nyje ku dy projekte gjeostrategjike kryqëzohen, projekti TAP dhe projekti IAP. Kjo do të sjellë, jo thjesht një mirëqenie ekonomike më të madhe për Shqipërinë, jo thjesht gazifikimin e saj dhe lidhjen e Shqipërisë në rrjetet e gazit, por mbi të gjitha do të forcojë pozitat e vendit tonë nga pikëpamja strategjike në rajon dhe më gjerë”, tha Bushati.

Presidenti Azerjbaxhanit Aliev organizoi një pritje në pallatin presidencial për delegacionin shqiptar. Gjatë bashkëbisedimit me Kryeministrin Rama në qender te bisedes krahas projektit TAP u diskutua eksplorimi mundesive te tjera bashkepunimi ne fushen e energjise dhe turizmit.

Marredheniet mes dy vendeve u cilesuan te shkelqyera dhe presidenti Aliev shprehu deshiren per te vizituar Shqiperine vitin e ardhshem.

Top Channel