Durrës, bie importi i mallrave

18/12/2013 00:00

Kriza ekonomike dhe rritja e tarifave të transportit të udhëtarëve me
tragete kanë dhënë efektet e tyre në volumin e importeve dhe udhëtarëve e
automjeteve të përpunuara në portin më të madh të vendit.

Statistikat e periudhës 11-mujore të këtij viti flasin për një rënie të mallrave të importit në masën 14 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa rënie ka regjistruar edhe sektori i udhëtimeve me traget. Gjatë këtij viti, tragetet kanë transportuar 655 mijë udhëtarë ose 11 % më pak se në vitin 2012.

Rënie prej 17 dhe 25 % kanë shënuar edhe autoveturat dhe trajlerat e transportuar me tragete, ndërsa numri i kamionëve në të njejtën periudhe është rritur me 7 %.  Një rritje prej 26 % ka shënuar eksporti i mallrave dhe numri i kontejnerëve të përpunuar. Gjithnjë e më shumë eksportuesit shqiptarë zgjedhin transportin e mallrave me kontejnerë duke regjistruar këtë vit dhe përmbysjen e raportit me importin e mallrave përmes tyre.

Sasia e mallrave të eksportuar me kontejnerë arrin në afro 700 mijë ton, ose 73 mijë ton më shumë se sa importet e të njëjtit lloj. Përveç mallrave me kontejnerë, janë përpunuar për eksport më shumë hekur nikel, si dhe çimento rifuzo dhe me paletë. Aktualisht, në kalatat e portit detar nuk ka asnjë anije ne perpunim me mallra importi, ndërsa në fundjavë pritet mbërritja e dy anijeve me grurë dhe kontejnerë.

Top Channel