SHBA, gjykata: Përgjimet, antikushtetuese

17/12/2013 00:00

Një gjykatë federale doli në përfundimin, gjatë së hënës, se mbledhja dikur sekrete e të dhënave telefonike vendase nga ana e qeverisë është antikushtetuese, duke nxitur kështu ankesa të ndryshme dhe sfida të mëtejshme mbi përgjimet e zbuluara nga informatori Edward Snowden.

Gjykatësi distriktit amerikan, Richard Leon, tha se pjesa më e madhe e mbledhjes së të dhënave, përfshi këtu informacionet e kohës së telefonatave apo numrave të thirrur, pa zbulimin e përmbajtjes së tyre, në dukje shkel të drejtat për privatësi.

Vendimi i tij paraprak favorizoi 5 paditësit e kësaj praktike, por Leon kufizoi vendimin vetëm në lidhje me rastet e tyre.

“Nuk mund të imagjinoj një ‘shkelje më diskriminuese apo arbitrare’, se sa mbledhja sistematike dhe e teknologjisë së lartë dhe ruajtja e të dhënave personale praktikisht thuajse të çdo qytetari, për qëllime kërkimore dhe analizuese pa miratimin paraprak gjyqësor”, tha Leon, një i emëruar i ish-presidentit George W. Bush. “Sigurisht, një program i tillë shkel ‘atë shkallë të privatësisë’ që themeluesit e sanksionuan në Amendamentin e Katërt”.

Në vendimin e Leon thuhej se “palët paditëse në këtë rast kanë treguar një mundësi të madhe për sukses, bazuar mbi pretendimet e Amendamentit të Katërt”, duke shtuar se “për pasojë, ata kanë demostruar gjithashtu një dëmtim të pariparueshëm”.

Ai refuzoi argumentin e qeverisë se një rast i Maryland-it në 1979 ofroi precedentin e nevojshëm për kushtetueshmërinë e mbledhjes së të dhënave telefonike, duke theksuar se përdorimi publik i telefonave është rritur në mënyrë dramatike gjatë 3 dekadave të kaluara.

Leon theksoi gjithashtu se qeveria “nuk citon as edhe një instancë të vetme, në të cilën të analizojë mbledhjen e shumicës së të dhënave nga NSA, që aktualisht të ketë ndalur një sulm të mundshëm, apo që të ketë ndihmuar qeverinë në arritjen e ndonjë objektivi, që ka qenë sensitive nga natyra për kohën që bëhet fjalë”.

Gjithsesi, ai e shtyu zbatimin e vendimit të tij, që ndalon qeverinë të mbledhë informacione, në pritje të një apelimi nga qeveria. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë tha gjatë së hënës se “besojmë që programi është kushtetues, ashtu siç e ka konsideruar gjykata në të kaluarën”, por tha se vendimi është duke u studiuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA