Nënshkruhet marrëveshja për TAP

17/12/2013 00:00

Është nënshkruar në Baku të Azerbaxhanit marrëveshja përfundimtare për ndërtimin e gazsjellësit ‘TransAdriatik’.

Sipas agjencisë azere të lajmeve ‘Trend’, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi TAP, si një mundësi jo vetëm për zhvillimin e tregjeve në Shqipëri por dhe gazifikimin e rajonit.

“TAP është një projekt i madh i cili do të marrë përmasa të jashtëzakonshme atëherë kur të japë mundësi të reja në projektet e përbashkëta mes Shqipërisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi për të promovuar IAP, i cili do të shpërndajë gazin drejt tregjeve të reja. Për Shqipërinë TAP nuk është thjesht një mori mundësish, por mbi të gjitha prej tij burojnë një sërë obligimesh. Qeveria jonë do të prezantojë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe materiale, bazën ligjore për të garantuar suksesin e këtij projekti. Ne e shohim TAP, jo vetëm si një mundësi ndryshe për zhvillimin e tregjeve në  Shqipëri, por duam të jemi promotorë të gazifikimit për shumë vende në rajon, të cilat nuk e kanë infrastrukturën e duhur të këtyre  tregjeve”, tha Rama.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, aksionerët e TAP njoftuan nisjen e një faze të re, atë të ndërtimit të Gazsjellësit në terren. SOCAR, Statoil, BP, Fluxys, Total, E.ON dhe Axpo miratuan vendimin që i hap rrugën zbatimit të projektit, duke nisur nga viti 2014.

Drejtori menaxhues i TAP, Kjetil Tungland tha se tashmë synohet ndërtimi i tubacionit brenda afateve kohore dhe brenda kufijve buxhetorë. Sipas tij, TAP-i dhe Shah Deniz do të sigurojnë diversitetin dhe sigurinë e furnizimit me gaz për Evropën si dhe do të forcojnë rëndësinë strategjike të vendeve përgjatë gjurmës së gazsjellësit.

Azerbaxhani njoftoi përzgjedhjen e projektit TAP për transportin e gazit natyror në Evropë në qershor të këtij viti. Tubacioni prej rreth 870 km gjatësi do të lidhet me Gazsjellësin TANAP në afërsi të kufirit greko-turk dhe do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Sipas Ministrisë së Energjisë, faza e parë e ndërtimit të TAP në pjesën shqiptare që ka të bejë me ndërtimin  rrugëve tokësore nis në qershor të vitit 2014. Faza e dytë, ajo e ndërtimit të tubacionit pritet të nisë në fillim të qershorit për të vazhduar me fazën e tretë dhe të katërt të ndërtimit të stacioneve të kompresorëve dhe pjesës detare.

Top Channel