Liderja e Pussy Riot koncert në burg

17/12/2013 00:00

Do të mbahet në fundjavë koncerti i fundvitit në disa burgje siberiane,
ku liderja e grupit Pussy Riot, Nadezhda Tolokonikova do të jetë
protagoniste.

Nadia, siç njihet shkurt, ndodhet në burg që prej marsit 2012 për shkak të një motivi ‘punk’ anti-Putin që këndoi bashkë me grupin e saj në katedralen ortodokse të Moskës.

Lajmin e bëri të ditur një ditë më parë avokatja e këngëtares, Irina Khrunova për televizionin opozitar rus Dozhd.

“Më tha në telefon se më 20 dhe 21 dhjetor do të vizitojnë disa koloni në rajonin Krasnojarsk dhe do të mbajnë koncerte. Në spitalin e saj është një grup muzikor dhe Nadia është bërë pjesë e tij. Së bashku do të bëjnë koncertet e fundvitit”, sqaroi avokatja.

Khrunova shprehu shpresën e saj që klientja të fitojë lirimin përmes projekt/amnistisë së propozuar nga presidenti rus Vladimir Putin.

Aktualisht Tolokonikova ndodhet në spitalin e burgut të Krasnojarskit, ku u transferua nga Mordovia. Dënimi i saj përfundon zyrtarisht në fillim të marsit 2014.

Top Channel