“Statusi, sinjal për investitorët”

16/12/2013 00:00

Prestigjozja britanike ‘Financial Times’ i ka kushtuar një shkrim të gjatë zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, përfshirë aspiratën pët t’iu afruar Europës një ditë përpara vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat.

“Shqipëria ka mbetut mënjanë, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë e kanë nisur rrugëtimin drejt antarësimit në BE. Tani ka ardhur mundësia që Shqipëria të bëjë hapin e saj”, thuhet në fillim të artikullit.

“Marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë diçka pozitive përsa i përket vijimit të reformave e në veçanti në dërgimin e një sinjali pozitiv tek investitorët ndërkombëtarë, se vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur”, citohet të ketë deklaruar për ‘Financial Times’ Timothy Ash, analist i tregjeve në zhvillim pranë Standard Bank.

‘Financial Times’ paralajmëron një rrugëtim të gjatë për Shqipërinë drejt familjes europiane, ndërkohë që vendet e tjera tashmë kandidate nga Ballkani Perëndimor, si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia parashikohet t’i bashkohen unionit deri në 2020-n, kjo sipas një diplomati europian në Tiranë.

Megjithatë, bisedimet mes Shqipërisë dhe BE-së, thekson gazetari Kerin Hope, një prej vendeve më të varfëra e të izoluara të Europës, është duke iu afruar përparimit të vendeve të tjera.

‘Financial Times’ citon kryeministrin Edi Rama, i cili për këtë çështje është shprehur se: “Shqipëria është e përgatitur të ndryshojë dhe ne duhet të tregojmë se risqet e të investuarit në vendin tonë nuk janë të mëdha apo të ndryshme prej shteteve të tjera”.

Michael Massourakis, shef i politikave ekonomike në Alpha Bank në Athinë, ka deklaruar për ‘Financial Times’ se: “Ka një dinamikë në ekonominë shqiptare, pavarësisht krizës. Shqipëria ka performuar mirë në krahasim me vendet e tjera të Europës juglindore, ndoshta ngaqë është në fillimet e zhvillimit, përfshirë ekonominë informale në tërësi”.

Artikulli mbyllet duke analizuar disa biznese të huaja të cilat operojnë në Shqipëri dhe tashmë janë histori suksesi.

Top Channel