Prezantohet projektbuxheti

16/12/2013 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani paraqiti në Konferencën e
Kryetarëve, projektligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2014 dhe
paketën e shumëdebatuar fiskale që shoqëron buxhetin.

Që në fillim, diskutimi u shoqërua me debate, pasi deputetët e opozitës akuzuan Qeverinë se ka shkelur afatet duke sjellë me vonesë projektbuxhetin në Parlament. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka e quajti këtë mungesë transparence ndaj publikut, por kryetari i Parlamentit Ilir Meta tha se arsyet e vonesës janë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

“Projektbuxheti vjen sot në shkelje totale të ligjit, sepse në bazë të ligjit për menaxhimin e shpenzimeve publike, përcaktohet qartë se buxheti nga Qeveria duhet të miratohet me datë 25 tetor dhe të vijë në Parlament brenda datës 1 nëntor”, tha Paloka.

“Eshtë e vërtetë që nuk jemi në afatet e përcaktuara, por ka një arsye që ndryshon nga vitet e mëparshme. Qeveria ka qenë në negociata me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me institucione të tjera ndërkombëtare, pasi ka qenë e domosdoshme që të bihet dakort për disa politika buxhetore, fiskale, të cilat do të reflektoheshin edhe në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Meta.

“Mund të mos vinte fare, mund të vinte në shkurt, ne do të prisnim ta bënim buxhetin në shkurt? Unë nuk e di se si mund t’i thuhet shqiptarëve që të rrinë nja dy muaj pa ngrënë se kemi takime me FMN-në”, tha Paloka.

Duke u ndalur tek treguesit kryesorë, Ministri i Financave tha se ky është një buxhet realist.

“Ka rritjen më të madhe të të ardhurave prej 42 miliardë. Do të jenë shpenzime diku tek 455 miliardë lekë, deficiti mendohet diku tek 91 miliardë ose 6.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik, meqënëse ne nuk duam të vijmë në Kuvend me shifrën e interpretuar ndoshta edhe më pas në ulje, po vemë shifrën më të lartë që pritet të jetë 74.8 për qind, pa u shqetësuar sepse këtu është përfshirë edhe 35 miliardë lekë shlyerje të borxhit të vjetër të Qeverisë së kaluar. Mendohet se rritja ekonomike, pra nga 1.3 për qind, mendohet që në vitin e ardhshëm të jemi diku tek 2.1 për qind”, tha Cani.

Ministri Cani tha se është hequr dorë nga tatimi i sheshtë dhe është zbatuar siç u shpreh ai, skema ‘kush fiton më shumë paguan më shumë’. Paketa e re fiskale synon gjenerimin e jo më pak se 18 mld lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat. Ndërsa për biznesin e vogël hiqet taksa e biznesit të vogël që ishte premtim i Qeverisë, për bizneset e tjera parashikohet rritje e tatimit mbi fitimin nga 10 për qind në 15 për qind.

“Lidhur me tatimin mbi fitim për atë pjesë të biznesit që rritet nga 10 për qind në 15 për qind, natyrisht që kjo është një masë jo që e deklarojmë me kënaqësi, por është një masë, e cila në letër duket më e lartë, është më e lartë, por do të jetë me siguri në praktikë, do të jetë një pagesë më e vogël nga ajo që biznesi ka qenë i imponuar të paguajë nga keqtrajtimi i organeve fiskale”, theksoi Cani.

Top Channel