Buxheti, më 28 dhjetor në Kuvend

16/12/2013 00:00

Mes debatesh Parlamenti miratoi pasditen e së hënës kalendarin e diskutimit dhe miratimit të projektbuxhetit 2014, sipas propozimit të kreut të komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe.

Sipas këtij kalendari, projektligjeve financiare iu janë lënë nga dy ditë diskutimi në komisione parlamentare dhe po aq në seancë, respektivisht në parim dhe nen për nen.

Vetëm tre ditë përpara ndërrimit të viteve është fiksuar dhe seanca e miratimit në tërësi të buxhetit të vitit 2014 dhe paketës së re fiskale.

Opozita kundërshtoi duke propozuar përmes amendamenteve shtyrjen e diskutimeve dhe miratimit të tyre në janar, të cilat nuk u pranuan nga mazhoranca.

“Kjo që po ndodh është e papreçedent, nuk ka ndodhur kurrë që buxheti të vijë në Parlament në fund të dhjetorit. Ka nja 14 vjet që në Parlament nuk vijnë ligje për rritjen e taksave. Gjithashtu, kemi një taksim progresiv shumë të fortë”, deklaroi nga opozita ish-ministri i Financave Ridvan Bode.

“Mos bëni sikur s’e dini situatën ekonomike. Atë nuk e sollëm ne, por e gjetëm këtu mes jush. Ju latë përgjysmë investimet, latë invalidët pa para. Mund të vazhdoj pafundësisht. Por ka qenë pikërisht kjo situatë dhe përgjegjësia e lartë politike e qeverisë së re, që pavarësisht se si e gjeti situatën, ka detyrën politike që të gjejë rrugën e zgjidhjes. Dhe më e rëndësishme është kjo sesa data”, replikoi kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.

“I lamë lekët e invalidëve, po ju u lëshuat mbi to. Tani po lini pa shpërblim fundviti administratën. S’ka ndodhur kurrë kjo”, vijoi më pas ish-kryeministri Sali Berisha.

Por kreu i grupit socialist rikujtoi rastin e vitit 2009, kur pa asnjë arsye objektive, tha ai, qeveria i la buxhetit po kaq kohë diskutimi. “Mos bëni sikur s’keni qenë këtu në vitin 2009, kur e sollët dhe e miratuat buxhetin më 26 dhjetor. E kuptoni që kjo që po bëni është një autogol?”, vijoi Ruçi.

Menjëherë pas seancës është mbledhur Komisioni parlamentar i Ekonomisë, i cili hapi edhe diskutimin në komisione të projektligjit financiar të vitit të ardhshëm.

Top Channel