BSH ul normën e interesit

16/12/2013 00:00

Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë, nga 3.25 që ishte, në 3, niveli minimum historik.

Sipas Guvernatorit, Ardian Fullani kjo masë u mor pasi ekonomia  është nën rritjen potenciale dhe inflacioni mbetet i ulët.

“Reduktimi i normës bazë të interesit , i dyti në radhë pas atij të muajit të shkuar, reflekton projeksionet tona për presione të dobëta inflacioniste në afat të mesëm. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike parashikohet të mbeten nën potencial, duke u shoqëruar me rritje të ngadalta të kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit. Po kështu, presionet inflacioniste nga tregu i huaj pritet të jenë të ulëta dhe në rënie”, tha zoti Fullani.

Sipas Guvernatorit kjo masë lehtësuese synon të mbështesë kërkesën agregate në ekonomi.

“Duke reflektuar edhe korrektimin e pritur fiskal gjatë vitit të ardhshëm e në vazhdim, lehtësimi i politikës monetare synon të mbështesë kërkesën agregate nëpërmjet përmirësimit të kushteve të financimit dhe të krijojë kushtet e duhura për respektimin e objektivit tonë të inflacionit në afat të mesëm”, tha ai.

Kjo është ulja e dytë e normës baze të interesit  brenda dy muajve të fundit.

Top Channel