Ndërron jetë Peter O’Toole

15/12/2013 00:00

Aktori Peter O’Toole, i cili shkëlqeu në filmin klasik të vitit 1962 të David Lean, “Lawrence of Arabia”, por i njohur gjerësisht edhe për rolin e tij te filmi Troja, si Priami (i ati i Hektorit dhe Paridit), ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare gjatë së shtunës, bën të ditur agjenti i tij.

Ai ishte shtruar për mjekim në spitalin “Wellington” të Londrës, pas një sëmundjeje të gjatë, shtoi ai. Vajza e O’Toole, Kate, tha se familja është tronditur nga “shpërthimi i dashurisë reale dhe afeksionit të shprehur ndaj tij dhe ndaj familjes”.

Aktori ishte nderuar me një çmim Oscar në 2003, pasi fillimisht e kishte refuzuar atë. Përmes një letre, aktori i kishte kërkuar Akademisë së Filmit, Arteve dhe Shkencave, për ta shtyrë atë deri kur të mbushte moshën 80-vjeçare, duke thënë se ishte “ende në lojë dhe mund të fitonte çmime edhe më të mëdha”.

Por, teksa arriti të shtrëngonte më në fund statujën e tij, ai tha: “Këmbët e mia, gjithmonë shoqëruese të nuses, por kurrë një nuse”. Agjenti i tij tha se aktori ishte “ndër të paktë të atij lloji, në sensin më të mirë të fjalës, si dhe një gjigant i fushës ku aderonte”.

Kritiku i kinematografisë, Barry Norman, e përshkruante atë si një “yll real filmash”, i cili kishte një “karizmë të jashtëzakonshme”. Presidenti irlandez, Michael D. Higgins tha se Irlanda dhe bota kanë humbur “një nga gjigantët e filmit dhe teatrit”.

Top Channel