Qeveria, 400 milionë USD kredi

14/12/2013 00:00

Qeveria shqiptare po negocion me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një
kredi, e cila mund të luhatet nga 300 deri në 400 milionë dollarë.

Top Channel ka mësuar se palët janë në minutat e fundit të negociatave dhe po përcaktojnë detajet e mbetura të kushteve që Qeveria duhet të përmbushë për të marrë financimin. Marrëveshja e huasë pritet të bëhet zyrtarisht publike të hënën në një konferencë të përbashkët për mediat të Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesve të FMN-së. Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se me shumë gjasa  kredia do të lëvrohet në dy këste me nga 200 milionë dollarë secili në dy vitet e ardhshme dhe do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që shteti ka ndaj bizneseve.

Mësohet se tashmë Qeveria dhe FMN kanë rënë dakord për kushtet që lidhen me treguesit e buxhetit, si defiçiti, të ardhurat dhe shpenzimet dhe janë duke negociuar detajet e fundit që lidhen me ndryshimet në administrimin e thesarit të shtetit. Shqetësimi i ndërkombëtarëve është që pas shlyerjes së detyrimeve aktuale sistemi i thesarit të mos lejojë grumbullimin e borxheve të tjera.

Për këtë janë duke u diskutuar një sërë ndryshimesh ligjore. Kredia e Fondit Monetar i bashkangjitet asaj të Bankës Botërore. Të dy paketat e huave mund të arrijnë deri në 600 milionë dollarë ose afër 5 për qind e Prodhimit Kombëtar, të cilat do të përdoren për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit dhe financimin e projekteve të nisura të investimeve.

Top Channel