Një “Pasdite” me “Doktorin” e “Fiks Fare”

13/12/2013 00:00

Gent Pjetri, apo siç njihet ndryshe “Doktori” i “Fiks Fare”, ishte i ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel” ku preku shumë tema, përfshi aspekte personale të jetës së tij.

Emisioni “Fiks Fare” – Është një punë pasioni. Kemi një mbështetje të jashtëzakonshme në atë që bëjmë. Punojnë 52 persona për një emision. Ka vullnet dhe pasion.
Fiksi është një emision që bën humor, por jo gallatë.

Koleget e reja – Kisha 16 vite që punoja me Saimirin. Në fillim ishte vështirë pasi unë kam një rol që rri në gatishmëri për të lëshuar batutën. Unë nuk jam violina e parë dhe nuk më pëlqen të jem i tillë. Jam shumë komod me rolin tim dhe nuk dua të ndryshoj.

Zërat për një largim nga Top Channel – Unë e kam thënë gjithmonë që nuk lëviz nga Top-i pasi e kam si shtëpi, pavarësisht se çfarë është shkruar. Më vjen keq për kolegët që janë larguar, por unë për vete nuk lëviz.

Presionet – Sigurisht që kemi pasur presione nga njerëz që preken nga hetimet tona, por nuk i mendojmë shumë. Dikur, daja im doli tek Fiksi dhe më mori në telefon para emisionit duke m’u lutur që të mos e jepnim videon, por nuk kisha çfarë të bëja, kishte bërë faj.

Fëmijëria – Jam djalë i vetëm, por kam shokë që nga koha e kopshtit dhe shkollës. Miqtë e mi më pranojnë siç jam dhe më kuptojnë.

Flokët – Nuk i kam mbajtur kurrë për modë, thjesht i dua shumë.

Varësia – Nuk kam turp ta them që më pëlqen të pi.

Femrat – Pas divorcit që kalova, vjen një periudhë që stepesh. Plus që unë jam natyrë e tërhequr. Nuk e di se çfarë shkoi keq. Mbase nuk ishim për njëri-tjetrin. Tani, edhe kur e pëlqej dikë, nuk e kuptoj se çfarë po ndodh.

Humori që e karakterizon – Humorin ose e ke, ose nuk e ke. Nuk mund të bëhesh humorist me punë. Dritan Hoxha donte të bënte spote humoristike dhe Bojken Lako më rekomandoi duke ma njohur humorin. Ka qenë viti 1997 kur nisa punën tek Top Albania Radio. Më pas, erdhi mundësia e Fiksit, që fillimisht na dukej e pamundur, por që pati shumë sukses.

E ardhmja – Nuk e di, unë e marr jetën si të vijë. Jam përtac si natyrë dhe nuk bëj plane.

Top Channel