Rritet çmimi i karburanteve

12/12/2013 00:00

Që nga një janari, çmimi i naftës dhe benzinës pritet të rriten me 12
lekë të tjera për litër. Në paketën e re fiskale, Qeveria ka vendosur të
rrisë taksën e qarkullimit si për naftën ashtu edhe për benzinën.

Aktualisht taksa e qarkullimit për këto dy produkte është fikse në masën 7 lekë për litër. Por me vendimin e ri të Qeverisë ajo rritet me 10 lekë dhe shkon në 17 lekë për çdo litër. Nëse shtohet dhe efekti që vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, atëherë rritja finale në çmimin që paguajnë konsumatorët është 12 lekë për çdo litër naftë që ata konsumojnë.

Prej vitesh, taksimi i karburanteve ka qenë një çështje e nxehtë debati, edhe politik. Sipas përllogaritjeve, nga shoqata e hidrokarbureve aktualisht për çdo litër naftë që shitet në treg, gati gjysma e çmimit që paguajnë konsumatorët shkon si taksë për Qeverinë. Taksa e qarkullimit u vendos për herë të parë në vitin 2011, kur Qeveria e djathtë e demokratëve hoqi taksën e importit që paguhej në doganë për automjetet e përdorura dhe e zëvendësoi atë me një taksë fikse në çmimin e naftës prej 7 lekë për litër, por që tani do të shkojë në 17 lekë për litër.     

Top Channel