PD: Buxheti, terror biznesit

11/12/2013 00:00

Opozita ka kundërshtuar projektbuxhetin që Qeveria po harton per vitin
2014, duke thene se ai nuk është një buxhet që u shërben 95% të
shqiptarëve, por një buxhet që rëndon 100% të tyre.

“Paraprakisht, vërejmë se projekti i ri buxhetor dhe politikat e taksave, janë jo në mbështetje të 95% të shqiptarëve, por kundër interesave të 100% të tyre. Ky është buxheti i demagogjisë, i pasigurisë, i terrorit mbi biznesin dhe konsumatorin, është buxheti i mllefit dhe urrejtjes ndaj shtresës së mesme dhe buxheti i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve. Me këtë akt, do të varfërohen më shumë të tërë konsumatorët shqiptarë, do të goditen pronarët e ambienteve të bizneseve të vogla, të cilët, atë që gjoja do të fitojnë nga taksa më e ulët mbi biznesin e vogël, do ta lënë shumëfish nga rritja e tatimit mbi pasurinë. Do të varfërohen mbi një milion konsumatorë të produkteve të duhanit dhe mbi çerek milion shqiptarë që përdorin karburantin për lëvizjen me automjetet e tyre.Me këtë akt do të goditen të gjitha bizneset e mëdha.Atyre do t’u duhet të paguajnë më shumë duke kyçur në sirtar planet e tyre për më shumë investime, më shumë eksport, më shumë punësim.Ne jemi këtu për të qëndruar dhe do të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesave të të gjithë shqiptarëve”, tha deputeti demokrat, Florion Mima.

Top Channel