Biznesi kundër rritjes së taksave

11/12/2013 00:00

Biznesi kundërshton planin e Qeverisë për të rritur në 15 për qind
tatimin mbi fitimet e kompanive. Nikolin Jaka thotë se kjo do të ketë
pasoja negative për ekonominë.

“Në rradhë të parë me çfarë duhet t’i presim investitorët e huaj, në rradhë të dytë si do ta krijojmë besimin për të investuar në Shqipëri dhe në rradhë të tretë duhet të shohim dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm me konkurrencën e rajonit, pasi Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet të kenë të njëjtin treg dhe konkurrencë në paraqitjen e paketave fiskale. Në rastin konkret Shqipëria po e thyen këtë konkurrencë, po e rrit dhe unë shpresoj që kjo mos të ndodhë të paktën për 2014 derisa të kemi një formalizim të ekonomisë dhe derisa të kemi reformat rregullatore”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Sipërmarrësit mendojnë se nëse ekziston vullneti i duhur, Qeveria ka rrugë të tjera për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhet    

“Përmirësimi i administrimit të sistemit të taksave dhe të tatimeve, që për ne mund të ketë rezerva më shumë se sa e ardhura që mendohet të krijohet në buxhetit nga rritja e taksave, zhbërja e koncesioneve dhe secila në mënyrë indirekte kanë rritur kostot dhe ne jemi gati që këto kosto edhe mund të qëndrojnë në skemë këtë vit, por jo t’i marrin koncesionaret lekët që ne paguajmë, por t’i marrë buxheti i shtetit. Rruga tjetër sipas pikëpamjes sonë është lufta kundër korrupsionit. Një moral i ri i qeverisjes do të rriste në mënyrë automatike të ardhurat në buxhetin e shtetit”, thotë Luan Bregasi, nga “Biznes Albania”.

Përfaqësuesit e biznesit thonë se vetëm pasi të jenë ndërmarrë këto masa atëherë ata janë të gatshëm të pranojnë rritje të taksave.

“Nëse krijohen kushtet e formalizimit të ekonomisë, të qëndrueshmërisë dhe të sigurisë ligjore në reforma strukturore dhe rregullatore, nëse krijohet një klime e përshtatshme për të bërë biznes në kushtet e konkurrencës së ndershme, atëherë sipërmarrja shqiptare dhe Dhoma e Tregtisë, në veçanti është e gatshme të negociojë çdo lloj tarife”, tha Jaka.

Një ditë më parë Kryeministri Rama paraqiti në Këshillin Ekonomik Kombëtar paketën e re fiskale. Por, sipas sipërmarrësve shumë nga pikat e saj janë lënë ende të paqarta dhe evazive.  

Top Channel