Pas shkresave të ardhura nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia e Tiranës
për mbylljen e tregut tek ish-Uzina Dinamo, kryetari i Komisionit të
Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, deputeti Eduard Shalsi, është takuar
me një përfaqësi të tregtarëve.
Sipas tregtarëve, është bërë një keqinformim lidhur me mbetjet e cianurit, pasi ato nuk ndodhen aty por në uzinën “Dajti”.
“Ne kemi 13 vjet këtu, asnjë i sëmurë nga Tirana nuk ka marrë ndonjë diagnozë të kësaj natyre që mundet të ketë dalë i sëmurë nga ushqimet që merren në tregun e Uzinës”, thotë një tregtar.
“Jemi dakort me mendimet e kryetarit të Bashkisë Basha, por ne nuk duhet të largohemi prej këtej sepse jemi pjesë e këtij komuniteti, dhe si të tille në do të qëndrojmë këtu”, thotë një tjetër tregtar.
Ndërkaq, nga ana e tij deputeti Shalsi ka mbështetuar faktin e keqinformimit lidhur me mbetjet e cianurit dhe ka garantuar se do të merren të gjitha masat për gjetjen e një zgjidhje për tregtarët.
“Unë jam në dijeni të një pjese të problemeve të këtij tregu, por nga ana tjetër, rasti i cianurit është një rast flagrant keqinformimi. Po shoh disa autorizime dhe disa procesverbale që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka lëshuar për këtë treg, që do të thotë që ne rast se ka biznese, të cilat nuk plotësojnë kushtet, ato po, duhet të mbyllen, por çështja e penalizimit të plotë të tregut do ta konsideroja të padrejtë”, tha Shalsi.
Në tregun industrial të ish-Uzinës Dinamo ushtrojnë aktivitetin 486 subjekte të licensuara dhe 252 subjekte ditore, duke bërë që në këtë treg të punësohen mbi 2000 persona.
Top Channel