Kontrolli tek ish-uzina Dinamo

10/12/2013 00:00

Pas kontrollit të ushtruar në tregun e ish-Uzinës Dinamo, Ministri i
Bujqësisë Edmond Panariti paralajmëron largimin e të gjithë tregtarëve
që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë çdo standardi higjieno-sanitar.

“Nuk mund të bëj kompromise me helmimet, nuk mund të bëj kompromise me infeksionet, nuk mund të bëj kompromise me kancerët, me keqformimet embrionale, të cilët bazën e kanë tek ndotja e mjedisit dhe tek ndotja e prodhimeve ushqimore. Me lejoni të siguroj të gjithë ata tregtarë, të cilët janë në krahun për zbatimin e këtyre standardeve, se ata jo vetëm do të jenë në treg, por do të kenë mbështetjen tonë për të zgjeruar praninë e tyre në treg. Të tjerët duhet të largohen dhe nuk ka lobim që i shpëton”, tha Panariti.

Kontrolli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në tregun e ish Uzinës Dinamo u krye një ditë pas alarmit të lëshuar nga Bashkia e Tiranës për zhvendosjen sipas saj të një sasie lënde helmuese cianur gjatë kohës që tregu ka patur nivelin më të lartë të frekuentimit. Matjet e kryera rezultuan në ndotje të lartë bakteriale ndërsa lidhur me kontaminimin e mundshëm me cianur, Ministria e Bujqësisë është në pritje të matjeve që duhet të kryhen nga Ministria e Mjedisit.

Deklarata e ministrit Panariti u bë gjatë një konference, në të cilën ministri lajmëroi shlyerjen e parë të borxheve, që shteti u ka kompanive.

“Këto borxhe nuk janë pak, janë 850 mijë dollarë. Por duke filluar që nga sot, këto borxhe janë zero, për arsye sepse falë një mirëadministrimit të financave publike, një rialokim të kujdesshëm të tyre, këto borxhe konsiderohen në shlyera”, tha Panariti.

Kjo shumë është kryesisht borxh që hidrovoret kanë akumuluar prej tetë vitesh ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.   

Top Channel