Kredia e BB për Shqipërinë

09/12/2013 00:00

Banka Botërore zbuloi për herë të parë shumën e kredisë emergjente që do t’i japë qeverisë shqiptare, për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj biznesit.

“Ndërsa tashmë dihen shumat për projektet e investimeve që ne jemi duke mbështetur në Shqipëri, që është rreth 86 milionë dollarë, kredia për mbështetjen buxhetore do të varet nga rezultatet e diskutimeve të buxhetit për vitin 2014. Dhe ne besojmë se ajo do të jetë diku midis 100 dhe 200 milionë dollarë”, deklaron Ellen Goldstein, drejtoreshë e BB për rajonin.

Në raportin e fundit mbi ekonominë rajonale, ekspertët e bankës parashikojnë kohë të vështira për Shqipërinë. Sipas tyre, këtë vit rritja ekonomike e vendit do të jetë vetëm 1.3 për qind.

“Parashikimet tona tregojnë se edhe për dy ose tre vitet e ardhshme rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë në intervalin dy deri në tre për qind. Rritja është e ulët dhe qëndrueshmëria e borxhit është bërë një shqetësim madhor. Aktualisht ai vlerësohet në 68 për qind e prodhimit kombëtar, pa përfshirë detyrimet e prapambetura dhe nëse përfshihen edhe këto të fundit shifra shkon në 72 për qind”, thotë Abebe Adugna, kryeekonomist për Europën dhe Azinë pranë BB.

Që nga viti 2008, ekonomia shqiptare është rritur në total me mbi 12 për qind, duke qenë vendi me ecurinë më të mirë veç Kosovës. Por kjo tani ka ndryshuar. Këtë vit vendi do ketë rritjen më të ulët në rajon, veç Bosnjes, për shkak se kriza ka goditur fort kërkesën e brendshme.

“Kërkesa e brendshme ka mbetur në të gjithë rajonin e ndrydhur. Kjo është veçanërisht e theksuar në Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Malin e Zi, ku të dy investimet dhe konsumit kanë mbetur të ndrydhura si për sektorin publik, ashtu dhe për atë privat”, thotë Gallina Andranova, kryeekonomiste për Europën dhe Azinë.

Ekspertët e bankës paralajmërojnë se një tjetër rrezik për ekonominë janë kreditë e këqija që mbeten më të lartat në rajon.

Top Channel