Fati i pasurive tona kombëtare u vendos në qendër të vëmendjes në studion e Rudina Xhungës, në “Shqip”, emisionin e çdo të hëne në ekranin e “Top-Channel.

Me të ftuar ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, për rreth 90 minuta u debatua mbi problematikat më të nxehta dhe fushat kyçe që do të ndikojnë rritjen tonë ekonomike në të ardhmen.

Të ftuar në studio, gjithashtu ishin dy gazetarë ekonomikë, Klodian Tomori nga “TCH” dhe Habjon Hasani, teksa shikues të shumtë përcollën shqetësimet e tyre duke reaguar nëpër rrjetet shoqërore.

Gjendja energjitike e vendit

Duke parë rrjetet shoqërore, shqetësimi kryesor i publikut ishte gjendja energjitike. i pyetur për këtë situatë, ministri Gjiknuri tha: “Ankesat për dritat nuk është hera e parë dhe dimri ka difektet e tij me dritat, por ndonjëherë njerëzit kujtohen për to vetëm kur dritat shkëputen. Problemi është shumë më i thellë dhe mbi të gjitha është financiar, ndaj duhet adresuar me masa shumë të forta ose ndryshe do të jemi një vend problematik. Përveç tezës së famshme të superfuqisë energjitike të qeverisë së shkuar, sektori energjitik sot ka 1 miliardë dollarë borxhe, i shkaktuar nga politikat e papërgjegjshme, nga privatizimi i CEZ-it dhe situata e rënduar financiare, edhe për rolit të shtetit në lidhje me pagesat. Kjo bën të mos ketë as investimet e duhura në rrjetin shpërndarës, por një ndër trashëgimitë më të rënda është falimentimi total i sektorit të shpërndarjes, që ka bërë mos hyjnë paratë në sektorin energjitik”.

“Ky nuk është problem që zgjidhet për 2-3 muaj. Përsa i përket furnizimit të popullatës, Kaskada e Drinit është manaxhuar shumë mirë dhe pjesa tjetër që ka të bëjë me importin, nga parametrat financiare edhe ajo do të realizohet, pasi edhe operacioni i CEZ-it në terren për të prerë mospaguesit ka dhënë rezultatet e para të mira rreth arkëtimeve. CEZ po importon, KESHI ka rezervë, por Shqipëria problemin kryesor e ka financiar. KESH sot s’ka para të paguajë rrogat, është i falimentuar. Në Shqipëri energjia vidhet në një masë të pakrahasuar me asnjë vend europian apo botëror, 45% e energjisë vidhet. Nëse energjia vidhet dhe shpërdorohet kështu, gjithmonë Shqipëria është e destinuar të vuajë, duke u bërë pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Në muajt në vazhdim, me rezervën dhe importin s’do të kemi problem me furnizimin e vazhdueshëm të popullatës, probleme mund të kemi me rrjetin e amortizuar… Gjendja e CEZ është as shtet as privat dhe s’mund të ketë as investime. Për të dhënë një përgjigje të qartë, për momentin nuk kemi një krizë dhe furnizimi i popullatës në muajt në vazhdim është i garantuar, edhe pse ndonjë difekt i vogël mund të ndodhë”.

Statusi i “CEZ Shpërndarje”

E ardhmja e sistemit të shpërndarjes është një ndër pyetjet më të mëdha të momentit. “Ajo që duket qartë, që me shumë gjasa një rikthim i çekëve duket i pamundur, ndaj çfarë do të ndodhë? Çfarë do të ndodhë mbasi ju të zgjidhni këto negociata. Cili do të jetë fati i CEZ, a ka qeveria një plan apo do e riktheni sërish në pronësi publike apo do e hidhni në privatizim?”, ishte pyetja e zotit Tomori.

“Duket qartë që çekët nuk do të kthehen dhe as që diskutohet më. Ky opsion nuk është më i vlefshëm. Ose do e forcojë shteti këtë sektor përpara se ta nxjerrë në privatizim ose të gjendet një partner tjetër, por të jemi shumë të sigurt se cili është. Është një çështje që duhet parë. Qeveria s’ka pse të bëjë veprime të nxituara, të eliminohet konflikti dhe qoftë administritimi shtetëror, le të gjendet një formulë më e mirë investimi, më e mirë se zgjidhja e dështuar e CEZ-it”, deklaroi ministri Gjiknuri.

Sistemi energjitik, një tjetër borxh për vendin?

I pyetur nga zoti Hasani nëse përballë kësaj situate të rënduar financiare, a do të lindë nevoja për të rënduar xhepat e taksapaguesve shqiptarë me një tjetër borxh për të përballuar këtë gjendje, zoti Gjiknuri u shpreh: “Nevoja ose rezerva hidroshqiptare, siç thashë më parë arrin të përballojnë një pjesë të mirë në këtë periudhë. Nga ana tjetër, performanca arrin të sigurojë pjesën tjetër të importit, por nëse vazhdojmë në këtë gjendje, vitin tjetër duhen reforma struktutore për të përmirësuar të ardhurat financiare dhe energjia duhet të konvertohet në para. Nga 100 dollarë të hedhur në sistem, ne marrim 45 dhe kjo është e papranueshme. Ne kemi një avantazh deri diku, që kemi trashëguar disa asete nga regjimi i kaluar. Shqipëria ka një rezervë jo të keqe dhe që prodhon me çmim të lirë. U bë një krim vitin e kaluar që u privatizuan disa hidrocentrale nga qeveria Berisha per qëllime elektorale, që tani ne duhet të paguajmë 16-17 mln dollaë ekstra për të blerë atë energji që ne kishim”.
Tarifat e energjisë

Një ndër pyetjet që iu shtrua ministrit, ishte nëse do të ndryshojë kostoja e energjisë për konsumatorët. “Ka opsione të ndryshme. Ka kërkesë nga FMN për ta riparë çmimin, por ne nuk do të rrisim çmimin final tek qytetari, por do të shikojmë mënyrat që mos ndikojnë tek buxheti. Masa paraprake që shteti të jetë paguasi kryesor, e kjo do të mbushë një gropë, do të shoqërohet me një eficentë më e mirë tek reduktimi i humbjeve dhe më pas do të jetë plani si do të strukturohet çmimi, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Struktura e çmimit, besoj se në të ardhmen ka nevojë për t’u riparë pa dëmtuar shtresat e prekshme të popullsisë”.

Greva e Zharrësit, problemi me “Bankers Petrolium”

Koncensionet problematike janë një problem po aq i madh për vendin. Në Komunën e Zharrëzit, në Fier, kompania naftënxjerrëse e “Bankers” shihet si përgjegjëse për një seri lëkundjesh sizmike që tronditisin këtë lokalitet. Në një lidhje direkte satelitore, kryetari i komunës, Taulant Gërmi u shpreh: “Ajo që shqetëson banoët e të gjithë zonës, është se nga 2009-ta, në të gjithë territorin ndodhin lëkundje sizmike që nuk dua t’i etiketoj as tërmete, as lëkundje, as shpërthime, por lëkundje sizmike, për të mos vënë gishtin e akuzës mbi asnjë. Janë vendosur dy sizmiografë së fundmi. i kërkojmë ministrit Gjiknuri që të përshpejtojë punën. Komisioni që ka përcaktuar ka nevojë për më shumë ritëm dhe intensitet pasi gjendja në terren është skandaloze. Shtëpitë janë prishur e banesa të tjera janë në gjendje që rrezikojnë shumë jetën e banorëve, shumë prej të cilëve s’jetojnë dot më në ato kushte”.

“Fatkeqësisht, shkenca ka ritmet e saj. Shteti duhet ta provojë nëpërmjet shkencës. Baza argumentuese dhe provuese duhet të jetë e fortë përpara se shteti të veprojë”, u përgjigj zoti Gjiknuri. “Kjo qeveri ka ritmin më aktiv përsa i përket ndjeshmërisë. I’u kujtohet ndonjë qeveri të ketë bërë ndërhyrje për këtë? Qeveria gjatë kësaj kohe ka ngritur një grup pune, ka montuar dy pajisje sizmike për të kuptuar frekuencat e kemi pezulluar aktivitetin e një firme që banorët e identifikonin si problem”.

Bulqiza, hidrocentralet, nafta…

Lidhur me atë se cfarë po ndodh dhe se cfarë do të ndodhë e cilat do të jenë politikat në vazhdim të qeverisë mbi minierat e Bulqizës, ministri Gjiknuri tha: Aktivitetet e fundit janë pikërisht për mbrojtjen e interesit publik dhe për të futur zhvillimin e industrisë minerare në shina të qëndrueshme, në këtë valë është zhvilluar edhe kontrolli në Bulqizë. Trashëgojmë kontrata që shpesh janë rënduese për vendin tonë, një ndër to është ajo e hidrocentralit të Ashtës ku ne jemi të detyruar të blejmë energji nga investitori me 40 përqind më shtrenjtë se tregu. Ne po punojmë dhe po rishikojmë pak nga pak të gjitha koncesionet. Shumë nga këto kontrata janë fantazmë. Janë dhënë mbi 300 koncesione për hidrocentrale. Pjesa më e madhe e këtyre kanë mbetur në xhep dhe tregtohet. Nuk është marrë parasysh interesi publik. Kemi pezulluar pjesën më të madhe të aktivitetit në Bulqizë, që tregon se shteti po vë dorë, tregoi veten që s’e kishte bërë ndër vite. Në miniera është bërë një krim, u ngastërzua dhe është vështirë të riparohet. Duhet një reagim shumë më i fortë ndaj korrupsionit në këtë sektor dhe fatkeqësisht prokuroria dhe gjithë sistemi i drejtësisë është në kolaps.

Gazetari i ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorri u interesua për politikat qeverisëse në mbrojtje të publikut: “Ajo që ka ndodhur me asetet natyrore që janë dhënë me koncesion është masakër. Në 8 vjet të gjitha kompanitë, që shfrytëzojnë asetet më të mëdha të vendit, në Patos-Marinzë dhe kromin në Bulqizë nuk kanë paguar asnjë lek mbi tatim-fitimin. Shkaqet janë disa, kontratat që janë lidhur në të tillë formë, por ka edhe fakte tronditëse për mënyrën se si shteti ka mbikqyrur këto koncesione. Kompanitë kanë deklaruar shpenzime marramendëse pa fatura. Jemi në një moment kur pasuria natyrore po grabitet në mënyrë barbare. Cfarë do bëjë qeveria për të mbrojtur më fort publikun? Mund të rinegocioni marrëveshjet koncesionare?

Ministri Gjiknuri u përgjigj: “Do bëjmë gjithcka për të përmirësuar interesin publik,. Për të gjetur një balancë mes interesit publik dhe atij të investitorit, ky është synimi ynë. Këtë po e bëjmë dhe me koncesionarët e naftës do të hapim një diskutim për këtë cështje. Do të shikojmë edhe hapësirën për të arritur në konkluzione se cili do të jetë detyrimi i kompanive ndaj shtetit për ato pasuri që sa vijnë e varfërohen, pasuri të parinovueshme. U kemi bërë të qartë kompanive që do të hapim një kapitull të ri për detyrimet që ato kanë, por duke parë edhe investimet e këtyre kompanive”.

Habjon Hasani, gazetar ekonomie vlerësoi se kompanitë koncesionare shkelin kushtin parësor që kanë në kontrata, atë të investimit: “Një shtet ofron një pasuri, një vlerë kundrejt një privati me kushtin parësor të investimit. Në këto kushte ka dy probleme, tek raportet periodike të të gjitha qeverive, të gjithë janë mbrapa me investimet. Problemi i dytë është AKBN (Agjencia e Kombëtare e Burimeve Natyrore), nuk është institucioni me të cilën Gjiknuri ka marrëdhënie direkt, por janë ata ekspertët që punojnë me hartat dhe me detajet. Është FBI e industrisë nxjerrëse të naftës dhe minierave”.

Vetë ministri Gjiknuri shtoi se vendi ka mangësi në gjetjen e specialistëve të kësja fushe: “Shqipëria ka kohë që po humb burime njerëzore. Kemi problem me njerëzit me ekspertizë teknike sepse në këto 20 vjet njerëzit u orientuan në arsim tek shkencat shoqërore, është një problem shumë i madh për të gjetur një ekspertizë. Ndaj kryeministri ka thënë që duhet të drejtojmë arsimin tek teknika. Kemi një program, ne do krijojmë një regjistër elektronik të menaxhuar informacioni për të gjitha të dhënat, një pjesë për ta parë edhe publiku dhe një instrument monitorues për të parë mënyrën se si koncesionari po plotëson kontratën. Do të jetë një instrument shumë i mirë për monitorimin, por mungesa e kapaciteteve me teknikë mbetet. Unë po imponoj që të marrim sa më shumë ekspertë. Personalisht unë gjeta 4-5 specialistë kur mora Ministrinë. Një nga arsyet që ne ndërhymë në Bulqizë ishte të mbrojmë jetën e minatorëve. Nëse shteti mbyll sytë vetëm në faktin që duhet të zhvillohet industria primitive, jeta e minatorëve do të rrezikohet. Por ka edhe një problem, ai që miniera po u mbyll del jashtë përdorimit. Është e vështirë të monitorojmë të gjitha minierat në Shqipëri, por të mbyllësh industrinë e kromit me thikë, është një dëm shumë i madh”.

Shpërthimet në Zharrës

Në lidhje telefonike me “Shqip”, administratori i Bankers Petroleum në Shqipëri, Leonidha Çobo tha se lëkundjet e tokës në këtë zonë, nuk shkaktohen nga aktiviteti i kompanisë së tij: “Theksoj se në lidhje me deklarimet për lëkundjet ka patur spekulime. Shprehja është tipike që kryhen nga Bankers, Kjo nuk reflekton aktivitetin që kryen kjo kompani. Unë garantoj jo vetëm publikun shqiptar, por edhe ministrin në lidhje me bashkëpunimin që Bankers do të kryejë me autioritetet shqiptare për të realizuar njohjen e arsyes së këtyre lëkundjeve, por edhe se aktiviteti i Bankers nuk shkakton lëkundje sizmike dhe thellësia nuk reflekton atë thellësi që është 5 km, Bankers operon në 1500 deri 2000 m thellësi”.

Së fundmi, një projekt i qeverisë së Maqedonisë për të devijuar një pjesë të rrjedhës së Drinit të Zi, kërcënon sigurinë energjitike të Shqipërisë. Në lidhje me këtë, ministri Gjiknuri tha:

“Jam i kënaqur që ka një shqetësim për këtë cështje. Një arsye e vizitës time në Maqedoni ishte edhe kjo cështje. Krahas bashkëpunimit për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ka një projekt nga pala maqedonase, që bëhet fjalë për devijimin e një cështje të vogël të ujit. Ne kemi patur një marrëveshje me ish-Jugosllavinë për ujërat, detyrimet e marrëveshjes besoj rrjedhin edhe sot. Kemi kërkuar që të ngremë një komison të përbashkët që të bindemi që ky projekt nuk ka ndikim tek siguria energjitike e Shqipërisë. Shqipëria është e shqetësuar për këtë cështje, ndaj duhet të flasim. Ne nuk duhet t’u lëmë vend spekulimeve, duhet të jemi transparentë me njëri-tjetrin dhe të mbajmë qëndrimet tona bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe menaxhimin e ujërave. E shohim me shqetësim këtë gjë. Është një problem serioz. Shteti shqiptar niset në këtë rast nga interesat e veta strategjike në gjetjen e një mekanizmi të përbashkët që të ruajmë regjimin e ujërave që kemi historikisht.

Cështja “ARMO”

“ARMO është një peshqesh i privatizuar nga qeveria e mëparëshme. Sektorët strategjikë janë privatizuar në mënyrë të mbrapshtë, është privatizuar pa ditur se cfarë do të zhvillohej. Tashmë e ka në dorë një tjetër investitor ARMON-n, të shohim se cfarë do të bëjë, por kjo kompani ka nevojë për investime të mëdha”, tha Gjiknuri.

Po a i ka njohur investitori i ri detyrimet ndaj shtetit?

“Ka paguar një pjesë të detyrimeve dhe po mundohet për të ndryshuar teknologjinë. Ne jemi duke e monitoruar zbatimin e detyrimeve që ka, për standardet e produktit dhe masën që të lehtësojmë prodhimin e naftës duke krijuar të gjitha mundësitë”, tha ministri.

Ku do të jetë sektori i naftës në fund të mandatit të qeverisë aktuale?

Damian Gjiknuri: Sektori i hidrokarbureve do të ketë një të ardhme të mirë. Biznesi i rafinerive nuk është i thjeshtë në Europë dhe as në Shqipëri jo e jo. Po punojmë që të kemi burime të tjera hidrokarbureve, edhe TAP është një avantazh historik. Problemi është a do të përfitojë Shqipëria nga gazi? Problemi më i madh është që ne i kemi disa të drejta nga kalimi, por a do të zhvillojmë konsumimin e gazit? Duhet të bëjmë disa hapa, një studim për të ndërtuar infrastrukturën e gazit.

Albpetroli

Ministri deklaroi se me këtë kompani është abuzuar nga politika dhe se administrata e saj është tejfryrë për qëllime elektorale: “Albpetrol është fryrë me punonjës nga politika. Kompania do të vijë në parametrat e duhur me naftëtarë të vërtetë dhe numër punonjësish aq sa ka nevojë kompania.

“Por cfarë ndodhi me tenderin dhe garancinë e famshme prej 10 përqind të Albpetrol? Cfarë do të ndodhë?”, pyeti gazetari Klodian Tomorri.

Damian Gjiknuri: Pyetja e parë dihet. Prokuroria po heton dhe është e pafalshme, për mendimin tim për një gjë aq të dukshme, abuzim kaq të pastër në lidhje me atë privatizim të bujshëm që të mos merret asnjë masë. Kemi të bëjmë me një mashtrim të pastër. E ardhmja Albpetrol? Është bërë një studim nga qeveria e mëparshme, ku fushat e mbetura iu dhanë një kompanie fantazmë dhe zhbërja e kontratës ka kostot e saj. Ne po shohim dokumentet dhe të dhënat për të gjitha koncesionet. Këtë po bëjmë me Bulqizën, me hidrocentralet dhe koncesionet e naftës. Kjo është në proces dhe nuk është proces i lehtë. Po rishikojmë, po shikojmë kushtet se si janë dhënë kontratat dhe cfarë mund të zhbëhet. Nëse kontrata nuk është zbatuar, qeveria do të marrë ato masa që parashikohen në kontratë. Shqipëria ka probleme me energjinë ndaj ne po punojmë për diversifikimin e burimeve, rritjen e bashkëpunimit me vendet e tjera dhe sidomos me Kosovën. Ka interes dhe nevojë për investime. Ky vend ka vetëm një rrugë, të ngrihet, të nxisim investimet e huaja. Kjo është zgjidhja jonë e vetme.

Lidhur me koncesionin e ngjyrosjes së karburanteve, Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës tha se dikasteri përkatës në qeveri po e rishikon këtë kontratën.

Top Channel