“Çfarë del në dyqanet tona duhet të dalë edhe në BE”, Rama: Thertoret të ndajnë mbetjet që nuk janë për konsum

21/04/2026 13:47

Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij në takimin me operatorët ushqimorë në kuadër të rritjes së standardeve që ky sektor do të duhet të rrisë në vijim. Ky është një nga kushtet kryesore që ka kërkuar BE në procesin për anëtarësim.

“Për shumë gjëra të tjera nuk jemi 28 mijë kilometra katrorë, por jemi sa BE. Çfarë del në dyqan në vendin tonë, duhet të dalë edhe në BE. Duhet të kesh standardet ushqimore që kanë edhe shtetet e BE. Problemi për thertoret është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum.

Garantimi dhe procesi i eliminimit të atyre mbetjeve duhet sipas nivelit europian. Asnjë thertore, edhe më të mirat, nuk e kanë këtë proces. Duhet bërë. Nuk është shkencë e madhe, por duhet, sepse përndryshe nuk ekziston në tregun europian.

Duhet të miratojmë ligjin për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum. Do të duhet të mbështesim financiarisht dhe të theksojmë gjurmueshmërinë nga thelbi deri në konsum. Qumështi nuk do t’i mbijetonte dot nivelit të BE. Unë kam parë disa fabrika me makineri të fundit, të certifikuara në disa aspekte, por zinxhiri është i mangët dhe do plotësuar.

Dje vijmë te nevoja për standarde. Unë nuk i trembem kohës në dispozicion, mjafton, nuk i trembem aftësive të investuesve në këto 900 pika. Unë i trembem vetëm neglizhencës së shqiptarëve: “hajt se ka kohë ose hajt se do ja gjejmë edhe BE-së sesi t’ia rrëshqasim topin mes këmbëve”.

Nuk është vetëm një ushtrim që duhet ta bëni ju dhe ne thjesht do çojmë kontrolle. Këto të fundit nuk do të jenë mision ndëshkimi, por hallë për të plotësuar zinxhirin. Do të lënë porosi për tu zbatuar dhe do të rikthehen në fund për të parë zbatimin.

Ne jo vetëm do të krijojmë sistemin e kontrollit, si mbrojtës publik, por edhe mbështetëse e çdo sipërmarrje që nuk shkel ligjin, por i duhet të rrisë standardet Kapacitetet laboratorike duhet të forcohen, për të mos pritur shumë për analiza. Pikat e kontrollit kufitar janë tjetër pikë e dobët, që ju dhe unë e dimë.

Do të mundësojmë lehtësimin dhe zhdërvjelltësinë e shtetit në këtë pikë, pa u bërë pengesë dhe mur atje në kufi. Kemi plan konkret investimesh për laboratorët, pikat kufitare dhe inovacionin e teknologjisë. Kjo nuk është sfidë që vjen si rrufe në qiell të pastër apo direktivë që vjen nga Moska në Shqipërinë komuniste, siç vinte dikur. Kjo është një sfidë që vjen për popullin tonë për tu bërë pjesë me të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Europës.

Kjo sfidë kalon në çdo sektor, përfshirë edhe drejtësinë. Kjo është në interesin e qytetarit dhe njeriut, jo të një strukture, qeverie, partie apo kompanish. Interesi i njeriut është siguria ushqimore, barazia para ligjit, ushqimi cilësor, mjedisi i mbrojtur, etj. Nuk po e bëni këtë se e kërkon Brukseli, por fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë”, tha Rama.

Top Channel