Arrestohen të denoncuarit nga ‘Fiks Fare’

08/12/2013 00:00

Ish-prokurori i Pukës, Pëllumb Premçi, Sekretarja e Gjykatës së Pukës, Liljana Shkjau, kancelarja Melihà Kuka, dy avokatët Fran Dashi dhe Feriz Xhurxhi, si dhe sekseri Dëfrim Prenci u arrestuan nga policia gjatë paradites së të dielës, gjatë një aksioni të koduar “shpërblimi”.

Gjashtë personat e arrestuar janë pjesë e videove investiguese të transmetuara nga “Fiks Fare”, pak ditë më parë, ku tregohej korrupsioni galopant në gjithë hallkat e sistemit të drejtësisë në rrethin e Pukës, e që po hetohet nga njësia “Task Forcë” në Tiranë.

Investigimi i “Fiks Fare” ka nisur tre muaj më parë, kur një qytetar nga Puka denoncoi, pranë redaksisë së emisionit, zvarritjet dhe padrejtësitë që po i bëheshin në dyert e të ashtuquajturave institucione të drejtësisë së këtij rrethi, pasi ai dhe pesë anëtarë të familjes së tij u arrestuan, për pjesëmarrje në një protestë ndaj kompanisë së përpunimit të bakrit në Fushë-Arrëz, “BerAlb”.

Për ndryshimin e masës së sigurisë, për secilin prej të arrestuarve në këtë protestë, shuma që i kërkohej qytetarit ishte 500.000 lek (të reja). Investigimi disa mujor i “Fiks Fare” zbuloi një zinxhir sekserësh, të cilët kërkonin parà në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa ishin paguar për 5 anëtarë të kësaj familjeje, nga 500.000 lek (të reja) për lirimin e secilit prej tyre, sekserë dhe avokatë i kërkojnë parà qytetarit në emër të gjyqtarëve, për të ndryshuar masën e sigurisë për pjesëtarin e fundit të familjes së tij, që ndodhet në burg.

Shuma përfundimtare për të liruar djalin e tij ishte 600.000 lek (të reja). Në prani të oficerit të policisë gjyqësore garantohet se prokurorit i janë dhënë paratë.

Në bisedat e transmetuara në “Fiks Fare”, me zë dhe figurë, sekretarja dhe kancelarja e Gjykatës së Shkallës së Parë pranojnë se, për lirimin e dy anëtarëve të familjes së qytetarit, janë paguar 500.000 lek (të reja) për secilin.

Ngjarjet, që u transmetuan në “Fiks Fare”, i përkasin shkallës së parë të Gjyqësorit. Por, skandali merr përmasa akoma më të mëdha, madje deri në Gjykatën e Lartë. “Fiks Fare” zbardhi strukturën e funksionimit të korrupsionit në Gjyqësorin shqiptar.

Kalvari i gjatë në dyert e drejtësisë ishte shfaqja e avokatit Fran Dashi, që kërkon pagesë prej 6 mijë eurosh në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Për gjashtë të pandehurit, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Këta persona akuzohen për veprat penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrim për qëllim fitimi”, “Moskallëzim krimi”.

Top Channel