Stop proçedurave absurde

06/12/2013 00:00

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndërmarrë një nismë, e cila i jep publikut mundësinë të bëhet pjesë e vendimmarrjes për përmirësimin e klimës së biznesit.

“Qëllimi i nismës sonë ka të bëjë me gjetjen, por jo më nga administrata, por nga vetë sipërmarrësit dhe qytetarët, e proçedurave absurde që ata hasin kur shkojnë në QKR, dogana apo çdo institucion tjetër shtetëror”, deklaron ministri Arben Ahmetaj.

Përmes një formulari të posaçëm që gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, biznesi por edhe qytetarët ftohen të listojnë proçedurat, të cilat ata gjykojnë si më problematike dhe që rrisin kostot.

“Ato ide do grumbullohen në ministri, do analizohen dhe mbi to do fillojnë reformat specifike për t’i përmirësuar, lehtësuar apo për t’i hequr fare këto proçedura”, saktëson ministri Ahmetaj.

Nisma është organizuar në formën e një konkursi të quajtur ‘Stop proçedurave absurde’, ku për qytetarët me idetë më të mira do të ketë edhe çmime.

Por, siç thotë dhe ministri Ahmetaj, qëllimi kryesor i saj është përmirësimi i klimës së biznesit, një nga angazhimet kryesore të ndërmarra nga maxhoranca gjatë fushatës elektorale.

Top Channel