Përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar po ndiqen me vëmendje nga diplomatët e vëndeve perëndimore në Tiranë.

Pas reagimeve të OPDAT dhe misionit të OSBE, Top Channel është
interesuar edhe për qëndrimin e SHBA-ve mbi nismat e fundit
antikorrupsion të qeverisë. Për këtë çështje, një zëdhënës i ambasadës u
përgjigj:

“Ne kemi diskutime në vazhdim me qeverinë shqiptare dhe partnerët mbi përqasjen më të mirë për të çuar përpara axhendën e reformave aq shumë të nevojitura të Shqipërisë. Ndërkohë që e kuptojmë urgjencën e kryerjes së këtyre reformave, mendojmë se procesi duhet të jetë i tërësishëm dhe temë diskutimesh, duke pasur parasysh implikimet e gjera që kanë për legjislacionin shqiptar dhe institucionet e zbatimit të ligjit”.

Në vijim të përgjigjes, Ambasada amerikane thekson rëndësinë që kanë Njësitë e përbashkëta të Hetimit, njohur ndryshe si “Task Forcat” kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

“Vlerësojmë që qeveria shqiptare është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar opsione të ndryshme. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka investuar drejtpërdrejt burime të mëdha për të ndihmuar krijimin e kapaciteteve, si për shembull Njësitë e Përbashëta të Hetimit për të vënë në shënjestër dhe ndjekur penalisht korrupsionin”.

“Do ta nxisnim qeverinë e re t’i shfrytëzojë në mënyrë të efektshme Njësitë e Përbashkëta të Hetimit, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për t’u marrë me korrupsionin”, thuhet në fund të përgjigjes.

Top Channel