Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare, vetëm pak ditë përpara se vendi të mësojë nga BE përgjigjen për statusin e vendit kandidat.
Sipas një njoftimi zyrtar të Presidencës, në takimin me presidentin e Republikës Bujar Nishani, zoti Moore është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqura me arritjet, stabilitetin e brendshëm dhe rolin e Shqipërisë në rajon.
“Integrimi evropian është interes i Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, citon presidenca zotin Moore. Por ai ka shtuar se nga Brukseli, pavarësisht arritjeve të deritanishme, duan të shohin më shumë përparim në konsolidimin e shtetit ligjor dhe tërhoqi vëmendjen se politika shqiptare duhet të evitojë konfuzionin në dhënien e mesazheve për statusin e vendit kandidat dhe integrimin në Bruksel.
Njoftimi i Presidencës nuk sqaron më tej se për çfarë konfuzioni mesazhesh të politikës shqiptare për integrimin i ka referuar zyrtari amerikan presidentit Nishani.
Njoftimi vijon me garancitë që presidenti i vendit i ka dhënë zotit Moore në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shprehur në të njëjtën kohë mirënjohjen e thellë të Shqipërisë ndaj SHBA për gjithçka ka bërë për kombin shqiptar gjatë shekullit të fundit.
“Vendi ynë do të jetë përkrah miqve dhe partnerëve amerikanë në përballjen e sfidave kudo në botë”, është shprehur presidenti Nishani.
Zyrtari amerikan u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa në takimin me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, njoftimi thotë se mes tyre është ndarë bindja se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë këtij viti, duke vlerësuar njëkohësisht progres-raportin e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive të tij.
Ai thotë më tej se Moore shprehu mbështetjen e SHBA në procesin e integrimit evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra.
Serinë e vizitave në Tiranë, Jonathan Moore e nisi me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Njoftimi thotë se mes tyre është shprehur angazhimi i përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin për zbatimin e projekteve dhe programeve me fokus forcimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
Ministria e Jashtme e mbyll njoftimin me përgëzimin që sipas saj Jonathan Moore ka bërë për masat konkrete të ndërmarra nga ana e qeverisë gjatë vitit të fundit, në një klimë politike gjithëpërfshirëse, siç u evidentua në rekomandimin pozitiv të raportit të progresit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Moore u takua gjithashtu me kreun e opozites Lulzim Basha. Në axhendën e zyrtarit amerikan parashikohet edhe një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha paraditen e së shtunës.
Top Channel