Drejtësia, Naço në Romë

06/12/2013 00:00

Ministrja italiane e Drejtësisë, Annamaria Cancellieri priti të premten në Romë një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga homologu i saj Nasip Naço.

Takimi u përqëndrua kryesisht në çështjen e zbatimit të marrëveshjes për ekstradimin dhe dërgimin e të burgosurve në vendin e origjinës për vuajtjen e dënimit.

Një marrëveshje e tillë mes dy vendeve është nënshkruar që në vitin 2002, por deri më sot ajo nuk është zbatuar.

Ministri Nasip Naço ilustroi edhe reformat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë shqiptare në përgjithësi dhe në sistemin e burgjeve në veçanti.

Ai u angazhua që duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm do të nisin proçedurat për kthimin në Shqipëri të një pjese të të dënuarve shqiptarë.

Ideja e riatdhesimit të të burgosurve të huaj ka dalë si nevojë e mbipopullimit të burgjeve italiane. Në to janë të huaj një e treta e të dënuarve, ose të atyre që janë në pritje të dënimit.

Sipas shifrave më të fundit, të publikuara në nëntor të këtij viti, nga 64 mijë persona që ndodhen pas hekurave në Itali, 2.860 janë shqiptarë.

Top Channel