Çmimet e Filantropisë 2013

06/12/2013 22:50

Në kryeqytet janë ndarë çmimet e Filantropisë për vitin 2013, një aktivitet që zhvillohet nga “Partnerët Shqipëri, Qendra për Ndryshim dhe Menaxhim Konflikti” për të vlerësuar individë, familje dhe biznese, të cilët kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqëri.

Ndër çmimet që u ndanë ishte ai për kontributin e veçantë si individ, i cili iu dha Keti Bazhdarit, mes të tjerash për kontributin në ndihmë të artistëve dhe familjeve në nevojë.

Çmimi special “Pionier i Filantropisë” shkoi, pas vdekjes, për biznesmenin dhe bamirësin Anastas Avram Lakçe, çmim që u anoncua nga presidentja e “Top Media”, Vjollca Hoxha.

“Ky çmim i jepet me motivacionin për kontribut të shquar në përhapjen e gjuhës shqipe, përmes mbështetjes së botimeve shqip, financimit për hapjen e shkollës së parë në Korçë dhe mbështetjen e botimit të një prej veprave më të shquara të letërsisë “Shqiptarë të Rilindjes”, “Bagëti e Bujqësi”, të Naim Frashërit”, u shpreh presidentja e “Top Media”, Vjollca Hoxha.

Çertifikatë mirënjohjeje iu dorëzua Znj. Kozara Kati, për kontributin e çmuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut, iniciativën dhe mbështetjen e çështjeve sociale.

Të pranishëm në aktivitet, mes të tjerësh, dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, përfaqësues të bizneseve, të medias dhe donatorë.

Top Channel