Britani, rritje taksash për pronarët e huaj

06/12/2013 09:10

Pronarët e huaj të një banese në Britaninë e Madhe do të paguajnë një taksë shtesë mbi pronën e tyre në momentin e blerjes së saj, lajmëroi të premten ministri britanik i Financave.

Sipas George Osborne, sistemi aktual nuk është i drejtë dhe penalizon shtetasit britanikë.

Në bazë të ligjit aktual, vetëm blerësit e dytë të një banese paguajnë një taksë, e njëjtë si për vendasit ashtu edhe për të huajt.

Taksa pritet të hyjë në fuqi në Prill 2015.

Kjo masë vjen pasi blerës të shumtë të huaj janë duke paguar shuma të konsiderueshme për një banesë në Londër, duke bërë që çmimet e pasurive të patundshme në kryeqytetin britanik të rriten me më shumë se 10% në vetëm një vit.

Shumica e blerësve të huaj janë rusë apo kinezë të pasur, që dëshirojnë të kenë një bazë në Britaninë e Madhe, por taksa do të jetë diskriminuese edhe për ata emigrantë që me kursimet e tyre dëshirojnë të blejnë një banesë.

”Britania është një shtet që mirëpret çdo investim nga kudo që ai mund të vijë, përfshi investimet në pronat rezidenciale. Megjithatë, nuk është e drejtë për ata që jetojnë në këtë vend që të paguajnë një taksë kur blejnë ose shesin një shtëpi që nuk është vendbanimi i tyre i parë, ndërsa shtetasit e huaj nuk e bëjnë këtë”, deklaroi ministri Osborne.

Top Channel