Kompleksi “Jon” do të shpronësohet

03/12/2013 18:45

Këshilli i Ministrave vendosi të shpronësojë për interes publik kompleksin “Jon”,  një  ndër ndërtesat që preket nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare Ujë i Ftohtë-Tuneli në qytetin e Vlorës.

Kjo do të thotë se të gjithë banorët e kësaj godine do të dëmshpërblehen sipas një fondi të akorduar nga shteti prej gati 500 milionë lekësh.

Në vendimin e qeverise thuhet se “pronaret e ligjshëm të pasurive të paluajtshme që shpronesohen, të kompensohen me vlerë të plotë, për siperfaqen e përgjithshme prej 8 396  metra katrorë ndërtim, të vlerësuar në shumen e përgjithshme prej 462 919 230 lekë, prej te cilave 362 919 230 lekë do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 milione lekë nga Fondi i Kontigjencës.

Në pikën pesë të këtij vendimi  kërkohet që pronarët e ligjshëm të ketyre pasurive të kompensohen për efekt të këtij shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor te pronësise.

Në një kohë që afati i vendosur nga Këshilli i Ministrave për përfundimin e shpronësimit është data 28 dhjetor.

Ky vendim i qeverisë vjen në mbështetje  të  ligjit numër 8 561 i vitit 1999 për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, por dhe në dy vendime të KRTRSH, njëri prej tyre i Qershorit 2004 që bën fjalë për miratimin e qendrës së Vlores dhe tjetri i përket dates 8 Tetor, në të cilën në mbledhjen e pare të Këshillit Kombëtar të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Rama u vendos “për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore ne disa zona me rëndesi kombëtare dhe procedurën e hartimit të planit të integruar sektorial për brezin bregdetar”.  

Për komplesin “Jon”, më herët zevendës-ministri i Transporteve, Ylli Manjani deklaroi se ky objekt do të shembet në kuadër të pastrimit të bregdetit, ndërsa çështja e bllokimit të tij perfundoi në Gjykatën Administrative, e cila ka vendosur që të mos ndërhyhet nga autoritetet derisa të zgjidhet themeli i çështjes.

Më parë, Task Forcë për mbrojtjen e territorit pretendon se në ndërtimin e kompleksit “Jon” në Ujin e Ftohtë në Vlorë rezulton se ka shkelje të rënda. Në cilësinë e kreut të kësaj Task Force, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar ndjekje penale për gjykatës, regjistrues pasurish të patundshme, kryeinspektorë dhe inspektorë dhe punonjës të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Top Channel