Ulja e ndjeshme e temperaturave në mesin e muajit nëntor solli nevojën e ngrohjes në kopshte dhe çerdhe. Burime të Bashkisë së Tiranës bëjnë me dije se sistemet e ngrohjes në institucionet e edukimit parashkollor janë aktivizuar në fillim të kësaj jave.
Kopshti 20 në kryeqytet është i fundit që u pajis me sistem ngrohjeje. Nga ambientet e këtij kopshti nënkryetarja e Bashkisë së kryeqytetit, Nevila Xhindi bëri me dije se projekti i fundit për kopshtet në Tiranë bëri të mundur pajisjen e 5 kopshteve me sitemin e ngrohjes me peleta.
Pas tij, në 8 kopshte të tjera ngrohja me karburant do të zëvëndesohet me ngrohjen me peleta, një sistem më ekonomik dhe më higjenik.
Në total në qytetin e Tiranës numërohen 43 kopshte, 13 prej të cilëve janë pajisur së fundmi me sistemin e ngrohjes me peleta. Ndërkohe, 30 prej tyre vijojnë të punojnë ende me karburant.
Ngrohja është vetëm një nga problemet që paraqitet për kopshtet në kryeqytet. Mbingarkesa është një tjetër shqetësim të cilin vetë kryetari i Bashkisë e ka ngritur, për shkak të mungesës së ambienteve të nevojshme për të pritur të gjithë fëmijët e kryeqytetit.
Aktualisht në Tiranë ofrohet shërbimi me 43 kopshte, të cilët mbulojnë 40 % të kërkesave.
Top Channel