Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka urdhëruar pezullimin e aktivitetit minerar të kompanisë ACR në minierën e Bulqizës.

Pas një kontrolli njëmujor të ushtruar në 39 subjekte në të gjithë rajonin e Bulqizës, përfshirë koncensionarin kryesor ACR, rezulton se kjo kompani nuk ka kryer investimet e parashikuara në kontratën koncensionare dhe nuk ka përmbushur kushtet e sigurisë në punë. 

“Pezullim i pjesshëm i punimeve në shfrytëzimin e rezervave minerare në zonën e koncesionarit të kompanisë Albcrom deri në realizimin e detyrimeve të mëposhtme: Zbatimin e programit të investimeve për fazën e dytë, hapjen e traverbangeve te Klosit dhe të Pusit 9, vënia në punë e sistemit të ajrimit të detyruar si pjesë e kushteve për sigurinë në punë, zbatimin e rregullave të sigurimit teknik”, tha Gjiknuri.

Si rezultat i këtij kontrolli, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka marrë masa ndaj 29 nga 39 subjektet e kontrolluara. Kështu për mosrealizimin e kushteve të përcaktuara në lejet minerare, 17 leje janë pezulluar deri në një afat të pacaktuar, 5 të tjera janë revokuar plotësisht, 5 janë revokuar në mënyrë të pjesshme, ndërsa është pezulluar dhe leja e subjektit të licensuar për lëndët plasëse, deri në plotësimin e të gjitha kushteve teknike.

“Nga ana tjetër ju japim mundësi disa shoqërive që në kohë të korrigjojnë mangësitë e tyre, ndryshe do të shkohet deri në revokimin e plotë dhe kjo është një gjë që patjetër do të ndikojë në të gjithë situatën e zonës në Bulqizë”, tha Gjiknuri.
 
Duke iu referuar minatorëve të zonës D, të cilët janë futur në një grevë urie në shenjë proteste ndaj ndërprerjes së punës në minierë, ministri Gjiknuri tha se ky është një reagim i nxitur nga ata që nuk u kanë siguruar asnjë kusht sigurie në punë.

“Kushdo që nxit punëtorët, me mjete të paligjshme për t’i bërë presion autoriteteve publike, mos ushtroni kontroll se ndryshe do të fusim njerëzit në grevë urie, po përballet me shtetin dhe shteti ka të gjithë detyrimin që edhe me mjete penale, të marrë masat e duhura ndaj tyre”, tha Gjiknuri.

Top Channel