Viti 2013 shënon dhe numrin më të lartë të rasteve të reja të diagnostikuar në vite.

96 është numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2013, ku midis tyre pesë janë femijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 33.

Sipas raporteve studimore të ISHP-së, deri në Nëntor 2013 janë regjistruar 671 raste me HIV/AIDS në Shqiperi.

Nga 96 rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit 2013, 53 prej tyre janë diagnostikuar në stadin AIDS.

Një pjesë e këtyre pacientëve mund të kenë qenë të infektuar prej vitesh pa shfaqur simptoma.

Për pasojë, këta persona mund të kenë infektuar, pa e ditur, edhe partneret e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë.

Efekti i mundshëm shumëfishues i kësaj situate, po të kemi parasysh se secili prej këtyre personave mund të ketë pasur disa partnerë, është shumë i rëndësishëm dhe hedh dritë mbi nevojën e ngutshme për ta diagnostikuar infeksionin qysh në fazat e hershme të tij.

Pra, në qoftë se diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të.

Por shpesh, stigma dhe mitet apo stereotipitë e pengojnë diçka të tillë.

Njerëzit kanë shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme. Gjithashtu, studimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV, nuk e dinë diçka të tillë.

Ndërkohë, mjekimi me ARV u ofrohet falas personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri që prej vitit 2004 dhe deri në nëntor 2013, numri i personave të trajtuar me këtë terapi ishte 312 (292 të rritur dhe 20 fëmijë).

Përgjigja ndaj HIV/AIDS është fokusuar në parandalimin, si dhe në kujdesin, mbështetjen dhe trajtimin e personave që jetojnë me HIV/AIDS.

Me mbështetjen e Fondit Global kundër AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries (GFATM) është mundësuar zbatimi i ndërhyrjeve me synim parandalimin e infeksionit HIV te grupet e prekshme, si dhe fuqizimi i ndërhyrjeve për mbrojtjen e interesave të personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe për luftën kundër diskriminimit të tyre.

Dita Botërore kundër HIV-it në Shqipëri

Nga viti 2011 deri 2015, Dita Botërore e AIDS-it organizohet nën sloganin: “Drejt zeros: Zero infeksione të reja HIV, Zero diskriminim për njerzit me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS-i”.

Fokusi i OBSH-së për fushatën 2013, është përmirësimi i akcesit në parandalimin, trajtimin dhe shërbimet shëndetësore për adoleshentët (10-19 vjeç), një grup që vazhdon të jetë vulnerabël, pavarësisht nga përpjekjet e bëra deri tani.

1 Dhjetorit 2013, i parapriu Java Europiane e Testimit për HIV, 22-29 Nëntor 2013. “Bisedo për HIV, Testohu për HIV” ishte slogani i Javës Europiane të testimit për HIV, e cila synonte të inkurajonte njerëzit të flasin hapur mbi përfitimet e kryerjes së testit për HIV, të inkurajonte individët në rrezik të kryejnë testin për HIV si dhe t’ju ofrohen më shumë teste për HIV personave në risk.

Organizimi i kësaj jave ishtë i nevojshëm sepse të dhënat tregojnë se sot të paktën një në tre prej 2.3 milion njerëzve me HIV në Europë nuk janë në dijeni se ata janë HIV pozitiv. Gati 50% e atyre të cilët janë HIV pozitiv janë diagnostikuar me vonesë e kjo vonon aksesin për trajtim.

Në këtë këndvështrim, edhe Shqipëria i’u bashkua në 22 -29 Nëntor Javës Europiane të Testimit për HIV/AIDS, qëllimi i së cilës ishtë ndërgjegjësimi i sa më shumë njerëzve për të njohur statusin e tyre për infeksionin HIV dhe për të reduktuar diagnozën e vonshme nëpërmjet komunikimit të përfitimeve të testimit për HIV.

Në kuadër të kësaj jave, Instituti i Shëndetit Publik, Programi Kombëtar HIV/AIDS, në bashkëpunim me Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar dhe Konfidencial në rrethe, me Ministrinë e Arsimit dhe mbështetjen e Agjencive të Kombeve të Bashkuara organizuan një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese.

Në mënyrë të veçantë në qendrat universitare të 4 rretheve, Tiranë (Qyteti Studenti), Vlorë, Korçë dhe Shkodër, krahas promovimit të testimit për HIV/AIDS, u bë i mundur dhe ofrimi i testimit për HIV/AIDS.

Testimi u ofrua dhe u krye në mjedise të përshtatshme brenda universiteteve dhe në përputhje me standartet e këshillimit dhe testimit.

Çfarë është Infeksioni HIV? – HIV (shkurtim i H-uman I-mmunodeficiency V-irus) është virusi i cili dëmton sistemin mbrojtës të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur prej infeksioneve dhe prej disa lloje kanceri. Stadi më i avancuar i infeksionit HIV është sëmundja AIDS.

Rrugët e trasmetimit të HIV/AIDS

– Përmes transfuzionit të gjakut, shiringave apo gjakut të infektuar

– Marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, me persona bartës të HIV-it

– Nga nëna ë infektuar tek fëmija gjatë shtatzanisë, lindjes apo gjatë ushqyerjes me gji

Rrugët me anë të së cilave NUK transmetohet HIV/AIDS

– Nëpërmjet kontaktëve të zakonshme si prekja, shtrëngimi i duarve, puthjet

– Gjatë kollitjes apo teshtitjes

– Nga pickimi i insekteve të ndryshme

– Gjatë përdorimit të përbashkët të tualetit, pishinave dhe dushit

– Gjatë ngrënies ose pirjes me një persona të infektuar

-Gjatë shoqërimit me personat e infektuar

Top Channel