Humb jetën aktori Paul Walker

01/12/2013 08:30

Aktori amerikan Paul Walker, protagonist në filmin me disa seri të “Fast & Furious”, humbi jetën në një aksident rrugor të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Kaliforni.

40-vjeçari ishte pasagjer në një makinë sportive “Porsche”, e drejtuar nga një miku i tij, i cili gjithashtu mbeti i vrarë.

Aktori po shkonte në një mbrëmje bamirësie, kur ndodhi aksidenti.

Sipas policisë, automjeti ishte duke lëvizur mbi normat e lejuara të shpejtësisë, kur u përplas me një pemë buzë rrugës dhe shpërtheu në flakë.

Pavarësisht se autombulancat mbërritën shpejt në vendngjarje, aktori dhe miku i tij kishin mbetur të vdekur në vend.

Walker ka qenë protagonist në pesë prej gjashtë serive të suksesshme të “Fast & Furious”.

Ai gjithashtu luajti një rol në dramën “Hours”, një film që do të nisë të shfaqet në kinema gjatë muajit.

Van Diesel, protagonisti tjetër kryesor i “Fast & Furious” ishte ai që kryesoi mesazhet e shumta të ngushëllimit për Walker në “Twitter”. “Jam i pafjalë. Sot humba një vëlla, ndërsa parajsa fitoi një ëngjëll. U prefsh në paqe”, komentoi ai.

Top Channel